Shkup, 24 nëntor – Inspektorati Shtetëror i Kroacisë ka njoftuar se nga shitja po tërhiqet çokollata e njohur Milka me karamel 100 gram, për shkak të mundësisë së pranisë së copëzave të vogla plastike në produkt. Sipas Agjencisë Kroate për Bujqësi dhe Ushqim (HAPIH), tërheqja nga tregu vlen vetëm për seri të caktuara, ndërsa konsumatorët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
Produkti nuk është në përputhje me rregullat evropiane për sigurinë ushqimore, pasi prania e trupave të huaj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Tërheqja vlen për produktin:
MILKA ÇOKOLLATË KARAMELE 100 g
EAN kodi: 7622210349675 / 557642
Prodhues: Mondelez Deutschland GmbH, Gjermani
Distributor në Kroaci: Müller trgovina Zagreb d.o.o.
Cilat seri janë problematike?
HAPIH publikoi afatet e skadimit dhe kodet e sakta të serive që hiqen nga tregu. Nëse e keni këtë çokollatë, kontrolloni nëse i përket njërës prej serive më poshtë:
Afati i përdorimit 20.02.2026 – kodet: OSV1252132 dhe OSV1252133
Afati i përdorimit 21.02.2026 – kodi: OSV1252141
Afati i përdorimit 26.02.2026 – kodi: OSV1252223
Afati i përdorimit 27.02.2026 – kodet: OSV1252231, OSV1252232 dhe OSV1252233
Inspektorati thekson se njoftimi vlen vetëm për produktet që mbajnë këto të dhëna. Konsumatorëve që posedojnë njërën nga çokollatat e dyshimta u rekomandohet të mos e konsumojnë, por ta kthejnë në dyqan ose ta asgjësojnë në mënyrë të sigurt.
Sipas autoriteteve, masa është parandaluese dhe synon të shmangë çdo rrezik të mundshëm për konsumatorët.

