Shkup, 29 tetor Zhurnal.mk – Prej muajsh, në Klinikën e Reumatologjisë në Shkup mungojnë reagentët për diagnostikimin e sëmundjeve autoimune. Për këtë ankohen disa pacientë, të cilët i janë drejtuar redaksisë së “Fokusit” pasi kanë shkuar për të kryer analiza laboratorike.
“Në vitin 2026, në Maqedoninë e Veriut, pacientët me sëmundje autoimune nuk mund të kryejnë as analizat bazë laboratorike reumatologjike për shkak të mungesës së reagentëve. Nga gjithsej 20 analiza reumatologjike dhe imunologjike të listuara, rezultate janë marrë vetëm për tri, ndërsa për shtatë të tjera nuk ka rezultate”, shpjegon një pacient që ka kërkuar të mbetet anonim.
Sipas tij, mungojnë analiza të rëndësishme për diagnostikimin dhe vlerësimin e artritit reumatoid, lupusit sistemik, sindromës Sjögren, sklerozës sistemike, miozitit inflamator, vaskuliteve sistemike, sëmundjes së përzier të indit lidhor dhe sindromës antifosfolipide.
Pacienti ngre gjithashtu pyetjen se si mund të pritet diagnostikim në kohë dhe trajtim adekuat për këto sëmundje serioze, kur sistemi shëndetësor nuk arrin të sigurojë as analizat bazë laboratorike.
Këto analiza në laboratorët privatë kushtojnë rreth 300 euro. Sipas pacientit, kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por një tregues serioz i mangësive në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Të dhënat e Byrosë për Prokurime Publike tregojnë se tenderi i fundit për furnizimin me reagentë për Klinikën e Reumatologjisë është zhvilluar në muajin mars. Në atë periudhë janë lidhur tri kontrata me tri kompani të ndryshme për furnizimin me teste, reagentë dhe materiale harxhuese për laboratorin imunologjik.
Redaksia e “Fokusit” i ka dërguar disa pyetje edhe Klinikës së Reumatologjisë në Shkup, duke kërkuar konfirmim nëse vërtet mungojnë një numër i madh reagentësh për diagnostikimin dhe përcjelljen e sëmundjeve autoimune dhe inflamatore reumatike, si dhe sqarim se cilët reagentë mungojnë dhe cilat janë arsyet.
Nga Klinika e Reumatologjisë kanë konfirmuar për “Fokusin” se disa reagentë nuk janë në dispozicion dhe se, për këtë arsye, gjatë periudhës së kaluar pacientët me udhëzim përkatës shëndetësor janë dërguar në Institutin e Imunologjisë për kryerjen e këtyre analizave.
“Rezultatet e këtyre analizave janë marrë parasysh gjatë trajtimit të mëtejshëm, deri në tejkalimin e mungesës së përkohshme të reagentëve të përmendur, proces të cilin presim ta përfundojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Reagentët bazë për trajtim dhe diagnostikim janë në dispozicion në institucionin tonë. Reagentët që aktualisht mungojnë janë shtesë dhe shërbejnë si një lloj orientimi për trajtimin e mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e Klinikës.
Nga atje theksojnë se trajtimi i pacientëve është një proces kompleks, i cili varet nga disa faktorë. Për çdo sëmundje ekzistojnë udhëzime të veçanta, të cilat ndiqen gjatë trajtimit, duke përfshirë pasqyrën klinike dhe një sërë ekzaminimesh të tjera. Sipas Klinikës, analizat me reagentët shtesë përbëjnë vetëm një pjesë orientuese të këtij procesi.
“Procedura për furnizimin me reagentët e përmendur është në fazën përfundimtare. Pas përfundimit të saj, presim që furnizimi me reagentët përkatës në klinikën tonë të zhvillohet pa pengesa”, thuhet më tej në përgjigje.
Klinika sqaron se mungesa e reagentëve për përcaktimin e antitrupave fillimisht ishte pasojë e vonesave në furnizim, ndërsa më pas u shfaqën edhe disa vështirësi teknike në procedurat e tenderimit.
“Ajo që dua të theksoj është se puna e Klinikës së Reumatologjisë nuk varet ekskluzivisht nga këto analiza. Ato janë pjesë e rëndësishme e diagnostikimit, por nuk janë mënyra e vetme përmes së cilës e vlerësojmë gjendjen e pacientëve dhe e përcjellim trajtimin e tyre.
Pavarësisht kësaj, Klinika ka punuar dhe vazhdon të punojë pa ndërprerje, funksionon në mënyrë të rregullt dhe garanton vazhdimësi në kontrolle, diagnostikim dhe trajtim. Në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje funksionimi i Klinikës dhe as nuk është ndërprerë kujdesi për pacientët. Natyrisht, synimi ynë është që këto analiza të jenë sërish në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
“Fokusi” ka shkruar disa herë edhe më parë për këtë temë, duke publikuar dëshmi të pacientëve, të cilët pretendojnë se kanë paguar deri në 130.000 euro për terapi biologjike që, sipas tyre, nuk e kanë marrë në Klinikën e Reumatologjisë.
