A i rrisin çmimet edhe në dyqanet komisionet e platformave online?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 tetor Zhurnal.mk – Komisionet që aplikojnë platformat e shitjes online dhe të dërgesës së ushqimit mund të ndikojnë në çmimet që paguajnë konsumatorët, madje edhe ata që nuk blejnë kurrë përmes internetit. Një pjesë e restoranteve dhe tregtarëve i mbulojnë kostot shtesë duke rritur çmimet e shitjes, ndërsa kjo shtrenjtim mund të reflektohet edhe në dyqanet fizike.

Ndër platformat më të njohura të këtij lloji në Maqedoninë e Veriut janë Wolt dhe Ananas, të cilat u mundësojnë bizneseve të arrijnë te një numër më i madh blerësish, por në këmbim u ngarkojnë komision për shitjet. Kjo mënyrë e funksionimit është e përhapur edhe në mbarë botën, ku komisionet e platformave të dërgesës së ushqimit, në raste të caktuara, arrijnë nga 20 deri në 30 për qind.

Në Maqedoninë e Veriut, komisionet e sakta varen nga marrëveshjet me tregtarët. Wolt konfirmon se merr komision për porositë e realizuara, ndërsa Ananas në kushtet e veta parashikon një tarifë ndërmjetësimi që paguhet nga shitësi.

Se sa mund të ndikojë kjo në çmim, e tregon një llogaritje e thjeshtë. Nëse një restorant shet një vakt për 500 denarë dhe platforma merr komision prej 25 për qind, restorantit i mbeten 375 denarë, pa llogaritur shpenzimet e tjera. Për të përfituar të njëjtën shumë prej 500 denarësh pas zbritjes së komisionit, restoranti do të duhej ta shiste vaktin për rreth 667 denarë, pra me një çmim rreth 33 për qind më të lartë.

Ky është një shembull me komision të supozuar, ndërsa në praktikë restorantet mund ta mbulojnë një pjesë të kostos nga fitimi i tyre ose përmes një numri më të madh porosish. Megjithatë, për bizneset që punojnë me fitim më të ulët, shpenzimet shtesë mund të ndikojnë ndjeshëm në çmime.

Veçanërisht interesante është se shtrenjtimi mund të bartet edhe në pikat fizike të shitjes. Në udhëzimet e saj zyrtare për partnerët, Wolt thekson se përputhja e çmimeve në aplikacion me ato në restorante është një nga faktorët që ndikojnë në dukshmërinë e tyre në platformë. Në të njëjtën kohë, kompania thekson se restorantet i përcaktojnë vetë çmimet.

Në udhëzimet zyrtare për partnerët, Wolt rekomandon që restorantet t’i harmonizojnë çmimet në aplikacion me ato në lokalet fizike, duke theksuar se kjo ndikon edhe në dukshmërinë e tyre në platformë.

“Çmime të njëjta do të thotë që çmimet e menysë suaj në Wolt përputhen me çmimet e të njëjtave produkte që klientët do t’i gjenin në lokalin tuaj. […] Çmimet e menysë janë një nga shumë faktorët që përcaktojnë dukshmërinë tuaj në Wolt”, thekson kompania.

Në udhëzime shpjegohet gjithashtu se si harmonizimi i çmimeve ndikon në mënyrën e shfaqjes së restoranteve në platformë.

“Me kalimin e kohës, kjo mënyrë e veprimit ndikon në atë se sa shpesh lokali juaj u shfaqet përdoruesve që kërkojnë në Wolt”, thuhet në udhëzuesin zyrtar për tregtarët.

Kjo mund t’i nxisë pronarët të mbajnë të njëjtin çmim si në lokal, ashtu edhe në aplikacion. Nëse një restorant dëshiron ta mbulojë komisionin për porositë online, por njëkohësisht të mbajë çmime të njëjta në të dyja kanalet e shitjes, mund të vendosë t’i shtrenjtojë ushqimet për të gjithë klientët. Në këtë mënyrë, edhe ata që shkojnë drejtpërdrejt në restorant mund të përfundojnë duke paguar një pjesë të kostove të shitjeve përmes platformës.

Kjo mënyrë e harmonizimit të çmimeve ka tërhequr tashmë vëmendjen e rregullatorëve jashtë vendit. Në vitin 2021, Komisioni i Tregtisë së Drejtë i Tajvanit e gjobiti platformën Foodpanda, sepse ajo u kërkonte restoranteve që çmimet në aplikacion të ishin të njëjta me ato në lokalet fizike. Rregullatori konstatoi se kufizime të tilla dëmtonin konkurrencën, pasi restorantet kanë kosto të ndryshme në varësi të mënyrës së shitjes.

Sa i përket Wolt-it në Maqedoninë e Veriut, sipas udhëzimeve të publikuara, harmonizimi i çmimeve ndikon në dukshmërinë në platformë, ndërsa vendimi për nivelin e çmimeve mbetet te restorantet. Megjithatë, dukshmëria më e madhe mund të jetë një nxitje e fortë për tregtarët që të mbajnë çmime të njëjta, veçanërisht nëse një pjesë e konsiderueshme e porosive u vjen përmes aplikacionit.

Natyrisht, platformat u sjellin edhe përfitime bizneseve. Përmes tyre, ato fitojnë qasje te klientë të rinj, reklamim dhe një sistem të organizuar shitjeje, ndërsa restorantet kanë mundësi të ofrojnë dërgesa pa pasur nevojë për korrierë të tyre. Për disa tregtarë, porositë shtesë mund ta justifikojnë komisionin.

Për konsumatorët, dallimi më i madh mund të jetë te çmimi i të njëjtave produkte dhe ushqime në aplikacione dhe në pikat fizike të shitjes. Kur tregtarët vendosin t’i barazojnë çmimet, një pjesë e kostos së shitjeve online mund të përfundojë edhe në faturat e blerësve që nuk i përdorin fare këto shërbime.

artikuj të ndërlidhura