Ksamil, 21 gusht Zhurnal.mk – Pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në një beach-bar në Ksamil, ka reaguar edhe “Principote Mykonos”, biznesi i njohur në ishullin grek.
Në një deklaratë publike, Principote Mykonos sqaron se nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi apo bashkëpunimi me lokalin në Ksamil, pavarësisht përdorimit të së njëjtës markë.
Sipas kompanisë greke, emri “Principote” është përdorur në mënyrë të paligjshme nga biznesi në Ksamil dhe, për këtë arsye, ndaj tij janë ndërmarrë edhe procedura ligjore.
“Principote Mykonos” thekson se qëllimi i veprimeve ligjore është ndalimi i përdorimit të emrit dhe mbrojtja e reputacionit ndërkombëtar të markës, duke argumentuar se lokali shqiptar po përfiton në mënyrë të padrejtë nga emri i krijuar prej tyre ndër vite.
“Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një biznes që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, duke ‘korrur’ ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë”, thuhet në reagimin e ‘Principote’ Mykonos.
Reagimi vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes u vra me thikë. Për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari shqiptar Sokrat Vata, ndërsa autoritetet kanë proceduar edhe persona të tjerë të lidhur me ngjarjen.
Me këtë deklaratë, Principote Mykonos kërkon të bëjë të qartë se lokali në Ksamil nuk është pjesë e biznesit të tyre dhe nuk ka asnjë lidhje me markën greke.
