Drejtuesi i Policisë së Shtetit, mbajti sot fjalën e rastit në cilësinë e presidentit të radhës të SEPCA-s, aktivitet i mbajtur ditën e sotme në Vlorë.
Proda e cilësoi takimin si mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi rrugëtimin, për të analizuar sfidat dhe për të projektuar të ardhmen e bashkëpunimit policor rajonal.
“Gjatë viteve të fundit, SEPCA është shndërruar në një strukturë solide bashkëpunimi, ku vendet tona jo vetëm shkëmbejnë informacione, por ndërtojnë standarde të përbashkëta, zhvillojnë operacione të sinkronizuara dhe adresojnë sfida që kërkojnë përgjigje të koordinuara”, tha Proda.
“SEPCA është sot e besueshme, e orientuar drejt rezultateve dhe me ndikim real në rritjen e sigurisë së rajonit. Nëpërmjet këtij forumi, policitë tona flasin me një gjuhë të përbashkët, mendojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe veprojnë me objektiva të qarta të përbashkëta. Kjo është arsyeja pse sot SEPCA shihet si një partner serioz nga Bashkimi Evropian, nga agjencitë e specializuara, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë që mbështesin përpjekjet tona për sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”, vijoi ai.
Si president i radhës i SEPCA-s, Proda tha se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar që ky forum të vazhdojë të jetë një model bashkëpunimi dhe një mekanizëm i besueshëm për sigurinë rajonale.
“Ndërsa i afrohemi momentit të dorëzimit të Presidencës te Bosnja dhe Hercegovina, jemi të bindur se Presidenca e tyre do të sjellë vazhdimësi, forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rezultate konkrete për gjithë rajonin tonë. Besoj gjithashtu se kjo platformë do të ishte edhe më e plotë nëse, nën presidencën boshnjake, do të bëheshin hapa konkrete për të pranuar edhe Policinë e Kosovës në këtë platformë, çka do ta çonte më përpara bashkëpunimin tonë”, tha Proda.

