KE cakton takim me ministrat e Ballkanit Perëndimor për problemet e transportuesve

Nga B.M
490 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 30 janar – Komisioni Evropian ka caktuar për javën e ardhshme një takim me ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështjet e ngritura nga transportuesit e rajonit, të cilët ditët e fundit bllokuan pikat kufitare drejt zonës Shengen, njoftoi sot zëdhënësi i KE-së për Çështje të Brendshme, Markus Lammert.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura nga operatorët e transportit nga Ballkani Perëndimor. Situatën po e ndjekim me kujdes dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë në rajon. Të mërkurën u mbajt një takim mes Komisionit dhe ambasadorëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa për javën e ardhshme është paraparë edhe një takim shtesë me ministrat e vendeve të prekura”, deklaroi Lammert.

Ai theksoi se Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar ndaj çështjeve të ngritura nga transportuesit, duke shtuar se edhe Strategjia për viza, e publikuar dje, parasheh bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare “me qëllim identifikimin e zgjidhjeve pragmatike që sigurojnë njëkohësisht siguri dhe përfitime ekonomike për BE-në, si dhe qartësi ligjore për udhëtarët”.

“Në bazë të këtyre diskutimeve, do të shqyrtohet edhe mundësia e futjes së legjislacionit të ri me një set të veçantë rregullash për zgjatjen e qëndrimit afatshkurtër në nivel të BE-së”, shtoi Lammert.

I pyetur nga gazetarët se kur mund të priten këto rregulla të reja, Lammert u përgjigj se për momentin nuk mund të japë një kornizë kohore konkrete.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër