Shkup, 30 janar – Në vitin 2026 pritet të ulet buxheti për standardin studentor, edhe pse vetëm pak ditë më parë u paralajmëruan “investime historike” në arsimin e lartë. Konkretisht, vitin e ardhshëm shteti, përkatësisht studentët, do të shpenzojnë rreth 30 për qind më pak mjete krahasuar me vitin e kaluar, gjë që paraqet një sfidë të re serioze si për shtetin, ashtu edhe për studentët.
Shkruar nga: Sara Tanaskoska
Standardi studentor edhe këtë vit mbetet segmenti më i brishtë i shoqërisë maqedonase. Në vend që të investohet te të rinjtë dhe e ardhmja e shtetit, studentët sërish vendosen në plan të fundit. Buxheti për standardin studentor po shkurtohet në vend që të rritet, ndërsa pakënaqësia në mesin e studentëve po rritet gjithnjë e më shumë.
Edhe pse programet studimore duhet të ndjekin zhvillimet globale dhe dinamikën e profesioneve moderne, studentët vazhdojnë të mësojnë sipas modeleve të vjetruara arsimore që nuk përputhen me nevojat e tregut bashkëkohor të punës. Ata jetojnë në konvikte studentore me kushte të dobëta, të parinovuara prej dekadash, të cilat nuk ofrojnë as standardin minimal të dinjitetshëm. Ndërkohë, inflacioni po e ul vlerën reale të shpenzimeve studentore, ndërsa institucionet nuk po ndërmarrin masa për ta zbutur këtë gjendje.
Shujta studentore prej vitesh mbetet me çmim të pandryshuar prej 140 denarësh, ndërsa bursat studentore nuk e ndjekin ritmin e inflacionit – shpenzimet rriten vazhdimisht. Në vend që fokusi të jetë në përmirësimin e kushteve, në vitin 2025 në disa fakultete ende nuk ka internet. Në këto rrethana, çdo shkurtim buxhetor paraqet një sfidë të re që do të lërë pasoja serioze mbi standardin studentor.
Nuk ka para, por ka pasoja
Në vitin 2026, shteti – respektivisht studentët – do të kenë rreth 30 për qind më pak mjete krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave, buxheti do të ulet për rreth 560 milionë denarë, ose rreth një të tretën më pak krahasuar me vitin 2025, kur ai ishte 1.8 miliardë denarë.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk dhanë përgjigje konkrete për arsyen e uljes së buxhetit për vitin 2026.
“Sipas buxhetit për vitin 2026, janë planifikuar mbi 1.3 miliardë denarë për standardin studentor. Mjetet janë projektuar për të siguruar realizimin pa pengesa të të gjitha të drejtave studentore që i garanton MASh, si bursat, subvencionet për akomodim në konvikte dhe shujta studentore të subvencionuara, ndërsa komponenta zhvillimore është paraparë në infrastrukturë. Vijon rindërtimi i konvikteve studentore dhe ndërtimi i objekteve të reja të FINKI-t dhe FFK-së, si dhe themelimi i një parku shkencor-teknologjik”, thuhet nga ministria.
Shoqatat studentore reagojnë se pasojat nuk reflektohen vetëm në mbështetjen më të ulët për gjeneratat aktuale, por edhe në largimin e të rinjve jashtë vendit. Investimi në studentë nuk është shpenzim, por kusht për rritje ekonomike, inovacion dhe stabilitet shoqëror – diçka që institucionet ende nuk po e kuptojnë.
Kuvendi Studentor Universitar (KSU) i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” thekson se nuk do të lejojë uljen e standardit studentor dhe se lufta e tyre do të vazhdojë për avancimin e të drejtave studentore.
Për shkak të informacioneve se buxheti për standardin studentor do të ulet për rreth 7 milionë euro, KSU ka iniciuar takim me përfaqësues të MASh-it.
“Na u bë e ditur se buxheti është projektuar sipas nevojave reale të studentëve dhe se të drejtat e tyre nuk do të cenohen. Një pjesë e mjeteve janë ristrukturuar për investime kapitale që do të përmirësojnë standardin studentor”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Forumit për Ndryshime Arsimore, Blendi Hodai, kërkoi sqarim të plotë të zërave buxhetorë, duke theksuar se mjetet nuk duhet të shpërdorohen për masa joefikase.
Ndërkohë, nga MASh sqaruan se vauçerët për pajisje elektronike realizohen nga institucione të tjera dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me buxhetin e vitit 2026.
Reagoi edhe rinia e LSDM-së, duke e cilësuar këtë si “një tjetër goditje për studentët”.
“Në buxhetin më të madh në histori, qeveria nuk ka para për studentët. Shkurtohen bursat, shujtat dhe konviktet. Kjo politikë i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi”, thuhet në reagim.
Gjithnjë e më shumë bileta njëkahëshe
Edhe pse disa studentë vlerësojnë se kushtet janë përmirësuar gradualisht, të tjerë theksojnë nevojën për investime serioze në infrastrukturë, praktikë profesionale dhe mobilitet ndërkombëtar.
Rritja e numrit të studentëve që largohen drejt vendeve evropiane, veçanërisht Sllovenisë, është dëshmi e qartë e problemeve strukturore në arsimin e lartë. Kjo shpjegon edhe mungesën e universiteteve maqedonase në listat ndërkombëtare të rangimit.
Studentët që studiojnë jashtë theksojnë dallime të mëdha në kushte, pajisje dhe mbështetje institucionale.
Është e qartë se standardi studentor në Maqedoni mbetet një sfidë serioze dhe se çdo shkurtim buxhetor ka pasoja afatgjata – jo vetëm për studentët e sotëm, por edhe për të ardhmen e shtetit.
Politikat ideale duhet t’i vendosin studentët në plan të parë, si themelin mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e vendit.
