Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Në Zonën e Zhvillimit Teknologjik-Industrial në Tetovë do të realizohet një investim i ri i huaj me vlerë rreth 20 milionë euro. Kompania Cavo Automotive, prodhues global i komponentëve për industrinë automobilistike me mbi katër dekada përvojë, planifikon të hapë kapacitet prodhues ku do të punësohen deri në 412 persona.
Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, fabrika e Tetovës do të prodhojë komponentë automobilistikë për marka botërore të njohura, ndërsa kur prodhimi të arrijë kapacitetin e plotë, eksporti vjetor pritet të arrijë rreth 45 milionë euro.
“Kjo është edhe një dëshmi se besimi në ekonominë maqedonase po rritet, se investitorët e njohin stabilitetin dhe se shteti po bëhet sërish destinacion atraktiv për investime të reja”, theksoi Mickoski.
Ai vlerësoi se kjo investim është dëshmi e aktiviteteve të drejtuara për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Nuk premtojmë fabrika i hapim fabrika. Nuk premtojmë vende pune i krijojmë vende pune. Nuk flasim për zhvillim e realizojmë”, tha kryeministri.
Investimi do të realizohet në TIDZ Tetovë, zonë e cila më herët ishte e lidhur me projektin për prodhimin e automobilëve elektrikë “Next e.Go Mobile”. Ky projekt, megjithëse ishte paralajmëruar me investim prej 130 milionë euro dhe 900 vende pune, nuk u realizua pasi kompania gjermane amë hyri në procedurë falimentimi.
Cavo Automotive është themeluar në vitin 1984 në Turqi dhe sot konsiderohet si një nga furnizuesit rajonalë më të rëndësishëm në industrinë automobilistike. Bëhet fjalë për një kompani multinacionale me seli në Kocaeli, e cila prodhon sisteme sigurie, mekanizma dhe sisteme kabllore për drejtimin dhe kontrollin e automjeteve. /Zhurnal.mk
Me mbi katër dekada përvojë, kompania është e pranishme edhe në tregun evropian dhe atë të Amerikës së Veriut përmes kapaciteteve prodhuese dhe inxhinierike në Gjermani, Sllovaki dhe Kanada, ndërsa produktet e saj i furnizojnë disa marka globale automobilistike.
Me ardhjen e Cavo Automotive, Tetova do të fitojë një kapacitet të ri prodhues në industrinë automobilistike, me orientim të qartë eksportues dhe potencial për përfshirje në zinxhirët evropianë të furnizimit. Investimi vlerësohet si pjesë e trendit më të gjerë të rritjes së kapitalit të huaj në zonat teknologjiko-industriale të vendit. /Zhurnal.mk
