Gjykata Supreme përballet me mungesë gjyqtarësh, financash dhe kuadri, të punësuarit e padisin duke kërkuar rreth 70 mijë euro

Nga D. V.
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Raporti përfundimtar i Revizionit për punën e Gjykatës Supreme në vitin 2024 ka zbuluar një sërë sfidash me të cilat përballet instanca më e lartë gjyqësore në vend nga mungesa e gjyqtarëve dhe stafit administrativ deri te kufizimet financiare dhe proceset gjyqësore aktive me të punësuarit.

Sipas Drejtorisë së Revizionit Shtetëror, aktualisht janë në zhvillim 28 procese gjyqësore ku Gjykata Supreme paraqitet si palë e paditur mbi bazën e të drejtave dhe kompensimeve nga marrëdhënia e punës. Vlera e përgjithshme e kërkesave arrin në 4,28 milionë denarë, ose rreth 70 mijë euro, ndërsa epilogu i këtyre lëndëve ende mbetet i panjohur.

Revizorët paralajmërojnë edhe për mungesë serioze gjyqtarësh. Nga 28 vende të parashikuara gjyqtarësh, në fund të vitit 2024 ishin të plotësuara vetëm 11, ndërsa në maj 2025 numri u rrit në 14, duke përfshirë edhe kryetarin e Gjykatës.

Një problem shtesë është fakti se Gjykata Supreme që nga shtatori 2023 funksionon pa administrator gjyqësor, gjë që sipas raportit ndikon negativisht në organizimin dhe menaxhimin e shërbimit gjyqësor.

Mungesa e kuadrit është e dukshme edhe te policia gjyqësore. Nga 8 vende të parashikuara pune, janë të plotësuara vetëm 5. Revizioni ka konstatuar se për shkak të kësaj janë paguar 781 orë pune jashtë orarit, mbi maksimumin e lejuar ligjor prej 190 orësh në vit për çdo të punësuar.

Vërejtje serioze ka edhe në pjesën e financimit të pushtetit gjyqësor. Për vitin 2024, për gjyqësorin janë ndarë 2,64 miliardë denarë, që përbën vetëm 0,3 për qind të BPV-së, dukshëm nën minimumin ligjor të parashikuar prej 0,8 për qind.

Revizorët vlerësojnë se kjo gjendje mund të ndikojë në efikasitetin, pavarësinë dhe stabilitetin e pushtetit gjyqësor, si dhe në zbatimin e reformave të domosdoshme në sistemin e drejtësisë.

Edhe pse raportet financiare të Gjykatës Supreme janë vlerësuar si objektive dhe të sakta, në raport theksohet nevoja për forcim urgjent të kapaciteteve kadrovike dhe sigurim të një financimi të qëndrueshëm e të harmonizuar me ligjin për gjyqësorin. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër