Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Partia opozitare ngre shqetësime për transparencën, menaxhimin dhe kontrollin e rreth 21 milionë eurove të parapara për projektin. Sipas Levicës, modeli i propozuar ligjor rrezikon të krijojë hapësirë për ndikim politik dhe shpërndarje jotransparente të mjeteve publike.
Partia opozitare Levica ka kritikuar mënyrën se si po përgatitet realizimi i projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në se rrezikon ta shndërrojë këtë mundësi historike në një projekt të politizuar, pa transparencë dhe me kontroll të kufizuar publik.
Sipas Levicës, ndërkohë që autoritetet e Shkupit përgatiten ta prezantojnë qytetin si kryeqytet evropian të kulturës, Komisioni Evropian ka evidentuar mangësi serioze në transparencën e menaxhimit, stabilitetin e financimit, realizimin në kohë dhe bashkëpunimin me aktorët kulturorë.
Nga kjo parti vlerësojnë se, në vend që projekti të shërbejë si mundësi për transformimin e mirëfilltë të jetës kulturore në kryeqytet, ekziston rreziku që ai të shndërrohet në një projekt të kontrolluar politikisht, ku karakteri evropian do të mbetet vetëm në emërtim, ndërsa praktikat e vendimmarrjes së mbyllur do të vazhdojnë.
Shqetësimet për 21 milionë eurot dhe prokurimet publike
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Levica është korniza ligjore e propozuar për realizimin e projektit, i cili kap vlerën prej rreth 21 milionë eurosh.
Sipas partisë, me zgjidhjen e propozuar ligjore, Fondacionit që do të menaxhojë projektin i parashihet mundësia të realizojë prokurimet jashtë regjimit të përgjithshëm të Ligjit për Prokurime Publike.
Levica konsideron se një përjashtim i tillë dobëson mekanizmat e kontrollit publik dhe konkurrencës, duke krijuar rrezik për menaxhim jotransparent të mjeteve buxhetore.
Partia e cilëson këtë si veçanërisht shqetësuese, duke rikujtuar se pikërisht në raportin e vitit 2026, Komisioni Evropian ka evidentuar mungesë progresi në fushën e prokurimeve publike.
Sipas Levicës, pas kritikave dhe reagimeve publike të kësaj partie, propozim-ligji i kontestuar është tërhequr përkohësisht.
Kërkohet përfshirje e skenës së pavarur kulturore
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me përqendrimin e vendimmarrjes në një rreth të ngushtë drejtues, ndërkohë që skena e pavarur kulturore, autorët, artistët dhe organizatat që prej vitesh kontribuojnë në jetën kulturore të Shkupit, sipas Levicës, nuk kanë garanci të mjaftueshme për pjesëmarrje reale në projekt.
