Rama: Nuk do të ketë lëshime për protestuesit e dhunshëm, sulmet janë të orkestruara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e sistemit bankar, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, pas sulmeve të dhunshme gjatë protestave të fundit të të rinjve në Tiranë.

Rama deklaroi se qeveria nuk do të bëjë lëshime përballë protestuesve të dhunshëm, të cilët kanë sulmuar institucionet, bizneset, bankat dhe forcat e Policisë.

Kryeministri e cilësoi dhunën si të orkestruar dhe të lidhur me elementë të jashtëm, duke pretenduar se synimi është destabilizimi i Europës.

“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju, pas një histerie dhune që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para gjithë Shqipërinë. Nga ne s’ka asnjë lëshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm”, u shpreh Rama.

Ai iu referua edhe lëvizjes “Antifa”, të cilën e përshkroi si një lëvizje marksiste neokomuniste që, sipas tij, është e pranishme edhe në kryeqytete të tjera europiane.

Rama tha se në protestat e dhunshme janë përfshirë të rinj të ekstremizuar, të cilët, sipas tij, bëjnë thirrje për burgosjen dhe syrgjynosjen e personave që mendojnë ndryshe. Ai përmendi gjithashtu përfshirjen e elementëve kriminalë duke u shprehur se krimi i organizuar mbështet segmente kriminalitetin e vogël të lagjeve.

“Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Europës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’”, tha Rama.

“Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit”, tha Rama.

“Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Europës. Këta elementë nuk janë studentë”, deklaroi Kryeministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër