Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, garantoi sot se depozitat e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta, ndërsa theksoi se Banka e Shqipërisë do të vijojë operimin me seriozitet dhe profesionalizëm, duke iu përgjigjur të gjitha nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë nga kryeministri Edi Rama me drejtuesit e sistemit bankar në vend, Sejko tha se diskutimet u përqendruan te problematikat dhe vijimësia e funksionimit të sistemit financiar, në kushtet e situatës së krijuar pas protestave të ditëve të fundit.
“Sistemi bankar është një shtyllë kryesore e ekonomisë shqiptare, që duhet të vijojë veprimtarinë me profesionalizëm”, u shpreh Sejko.
Ai falënderoi bankat tregtare për vijimin e punës së degëve, pavarësisht situatës së krijuar në kryeqytet, duke nënvizuar se prioritet i Bankës së Shqipërisë ka qenë garantimi i funksionimit operacional të sistemit të pagesave, qarkullimit të parasë fizike cash dhe veprimtarive të tjera të sistemit financiar.
Guvernatori theksoi se, pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit, depozitat e qytetarëve janë të sigurta dhe asnjë ngjarje e kësaj natyre nuk i cenon ato. Sipas tij, bankat shqiptare janë të mirëkapitalizuara dhe kanë likuiditet të mjaftueshëm.
Sejko nënvizoi se sistemi bankar është në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, ndaj vijimi pa ndërprerje i aktivitetit të tij është i rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Ai siguroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të veprojë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri, për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe ekonomisë, duke garantuar vijimësinë e shërbimeve financiare dhe shmangien e cenimit të aktivitetit ekonomik.
