Rama për protestën e PD-së: E vetmja parti në botë që ushtron dhunë, të bëhet drejtësi për efektivët e plagosur

Nga admin
285 e lexuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së djeshme të opozitës përballë Kryeministrisë dhe Parlamentit ku u hodhën molotovë, fishekzjarre dhe shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar foto të sekuestrimit të 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë. “Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe  djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”, shprehet Rama.

Kreu i Ekzekutivit uroi që “drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës”.

“Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur  rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, deklaron kryeministri Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër