Rama: Rritja ekonomike e pakrahasueshme, kërkohet disiplinë për të shmangur qëndrimin “vendnumëro”

Nga D. V.
401 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të ri, ndërkohë që ekonomia vazhdon të ecë me ritmet e parashikuara duke afirmuar një rritje të qëndrueshme.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ndau opinionin e tij lidhur me situatën komplekse ku ndodhet vendi.

“Jemi pas një fitoreje historike të zgjedhjeve nga ana jonë, çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave në kohë rekord si edhe pas zhvillimeve që lidhen sa me ecurinë edhe fatin e reformës historike në drejtësi aq edhe me rrugën e rritjes ekonomike, qëndrueshmërinë politike dhe shtetbërjen demokratike për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se rritja ekonomike është e pakrahasueshme me asnjë periudhë të mërpashme. Ndërkohë sipas tij, “Shqipëria vazhdon të shkëlqejë ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë”.

“Ndërkohë që projektet në zhvillim apo në plan për t’u hartuar dhe zhvilluar në këtë mandat janë më të shumta dhe domethënëse për nga impakti se kurrë më parë udhëkryqi ku ndodhemi sot paraqet disa rreziqe që kërkojnë një kuptim të drejtë, adresim të vendosur dhe disiplinë të fortë nga ana jonë”, u shpreh Rama.

Përndryshe, sipas tij “Shqipëria rrezikon të bëjë vendnumëro duke humbur kohën më të çmuar dhe mundësitë më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në dispozicion për t’u ngjitur më në fund aty ku e kërkon amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe ku patjetër meritojnë fëmijët tanë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër