Raporti i Parlamentit Europian vlerëson punën për territorialen, Mazniku nga Vlora: Nevojë për qasje të re ndaj sfidave të pushtetit vendor!

Nga Xh M
390 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vlorë, 5 maj Zhurnal.mk – Në Vlorë po zhvillohet konsulta publike për reformën e re administrativo-territoriale, në një moment kur edhe Raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, i publikuar sot, mirëpret punën në vijim të komisionit parlamentar ndërpartiak për këtë reformë. Raporti thekson se çdo reformë në këtë fushë duhet të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të mbështetur në kritere objektive socio-ekonomike, në përputhje me standardet evropiane të vetëqeverisjes vendore.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari i kësaj reforme, Arbjan Mazniku, e cilësoi reformën territoriale të kryer në vitin 2014 si një nga reformat më të rëndësishme dhe më efektive të ndërmarra në vend, duke theksuar se ajo ka ndryshuar mënyrën se si qytetarët marrin shërbimet nga pushteti vendor.

“Për shumë njerëz, fytyra e shtetit është bashkia”, u shpreh Mazniku, ndërsa nënvizoi se reforma, e cila reduktoi 373 bashki dhe komuna në 61 bashki, krijoi mundësi më të mëdha për ofrimin e shërbimeve bazë si infrastruktura, ujësjellësi dhe shkollat. Sipas tij, të dhënat tregojnë një përmirësim të situatës financiare të bashkive, duke theksuar se borxhi ndaj palëve të treta ka rënë ndjeshëm krahasuar me periudhën para reformës.

Megjithatë, Mazniku pranoi se situata nuk është e njëjtë në të gjitha bashkitë e vendit. Ai theksoi se reforma e vitit 2014 ishte decentralizuese, duke i shtuar më shumë funksione pushtetit vendor, por që sot, për shkak të dinamikave demografike dhe atyre zhvillimore, po sfidon kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore për t’i përmbushur ato.

“Shumë e rëndësishme është që të diskutojmë për mënyrën sesi bashkitë i ushtrojnë funksionet e tyre”, theksoi ai. Mazniku përsëriti sërish nga Vlora që debati të mos fokusohet vetëm te territori dhe ndarjet administrative, pasi “aty ndizen pasionet lokale”, por të zhvillohet së pari një diskutim serioz mbi mënyrën se si bashkitë ushtrojnë funksionet dhe ofrojnë shërbimet për qytetarët e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër