Shkup, 7 korrik Zhurnal.mk – Edhe në ditën e katërt ka vazhduar debati i ashpër mes pozitës dhe opozitës në diskutimet të cilat po zhvillohen në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ku po diskutohet ribalanci i ri i buxhetit. Pas shumë orëve diskutime, debati i përgjithshëm përfundoi, për t’ua hapur rrugën çështjeve të shqyrtimit të amendamenteve të dorëzuara. Sipas Ministrisë së Financave si propozuese të këtij ribalanci, zhvillimet e jashtme gjeopolitike janë reflektuar mbi rrjedhat ekonomike dhe kanë ndikuar në ekzekutimin e Buxhetit për vitin 2026. Sipas shumicës, me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2026 bëhet përshtatja e supozimeve makroekonomike dhe projeksioneve fiskale, para së gjithash në anën e shpenzimeve të Buxhetit, me qëllim të harmonizimit të realizimit të deritanishëm të Buxhetit. Por zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, kritikoi qasjen e opozitës maqedonase, e cila për 7 vite deri sa ishte në pushtet, nuk arriti të përcjellë kurrfarë rritje.
“7 vite, 7 buxhete të planifikuara në atë kohë, plot 14 ribalance, dhe askush nga opozita nuk përmendi se çfarë rritjesh kanë bërë. Ajo është mesatarisht 2 për qind, ndërsa sot po na mbani ligjërata se si duhet ta udhëheqim vendin. Por, ajo që mua më intereson është ajo se si është duke punuar Qeveria jonë, e ajo tregon se gjatë 8 kuartaleve të fundit, kemi rritje të ekonomisë për 3.5 për qind. Në Ministrinë e Transportit planifikohen 1.8 miliardë denarë, në Ministrinë e Ambientit 2.4 miliardë denarë, në Ministrinë e Arsimit 1.4 miliardë denarë, në Ministrinë e Shëndetësisë 573 milionë denarë, Ministria e Punës 1.9 miliardë denarë etj. Të gjitha këto janë mjete shtesë të cilat i kemi siguruar nga politikat e mira.”, – deklaroi zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Nikollçe Jankullovski.
Bytyqi: Para për autostrada të shtrenjta
Por, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, ka reaguar në këto pretendime të pozitës duke i vlerësuar këto se vendi nuk ka mjete për bukë, ndërsa ju po ofroni çokollata.
“Unë vetëm në dy gjëra mund të kujtohem. Ju kishit dhe vazhdoni të kemi Ministër të Financave, por një thënie ka mbetur edhe në atë kohë, edhe tani që ju e keni thënë, se ne nuk kemi mjete për bukë, kurse ato po kërkojnë për çokollatë. Prandaj, ju vazhdoni kështu ta krijoni buxhetin, sepse mirë po ju shkruhet, por ju vazhdoni të derdhni para për autostrada të shtrenjta.”, – theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Stojanovski: 1 km autostradë Kërçovë – Ohër, 25 milionë euro
“Eja, më shiko pak mua, 1 kilometër në autostradën Kërçovë – Ohër, 25 milionë euro në kohën e ministrit Boçvarski, prandaj mos hapni këto lloj temash se jemi të gatshëm me secilin t’i bisedoj këto çështje, këtë e bëni se karakteri i juaj është cinik.”, – u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Sipas propozim-buxhetit të hartuar, lëvizjet aktuale makroekonomike në përputhje me të dhënat preliminare të Entit Shtetëror të Statistikës, Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 shënoi rritje reale prej 3.1% në bazë vjetore, me çka konfirmohet vazhdimësia e lëvizjeve pozitive ekonomike dhe qëndrueshmëria e ekonomisë vendore në kushte të pasigurisë në mjedisin ekonomik global. Debati do të vazhdojë për shqyrtimin e qindrave amendamenteve të propozuara.
