Rikonstruktimi i konviktit „Nikola Karev” në Ohër ende nuk ka nisur, studentët përballen me shpenzime shtesë për transportin

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 30 tetor Zhurnal.mk – Edhe pse autoritetet kishin paralajmëruar se punimet ndërtimore për rikonstruktimin e plotë të konviktit studentor „Nikola Karev” në Ohër do të nisnin që në muajin korrik, në terren ende nuk ka asnjë ndryshim.

Ndërsa tashmë po hyjmë në muajin nëntor, punimet nuk kanë filluar. Objekti vazhdon të qëndrojë i zbrazët, ndërsa studentët janë vendosur përkohësisht në pushimoren e fëmijëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në lagjen Shën Stefan. Por, kjo zgjidhje e përkohshme ka sjellë probleme të reja të përditshme dhe shpenzime shtesë për studentët.

Çdo mëngjes dhe pasdite, të rinjtë detyrohen të përdorin furgonë ose transportin privat për të udhëtuar drejt fakulteteve në qendër të Ohrit dhe për t’u kthyer. Për më tepër, të gjitha shpenzimet për transportin, qoftë të organizuar apo privat, i mbulojnë vetë studentët.

Sipas informacioneve që kanë studentët, arsyeja kryesore e vonesës së punimeve është mungesa e një hapësire të përshtatshme ku do të zhvendosej inventari ekzistues i konviktit.

„Kemi akomodim dhe ushqim atje, por jemi rreth 5-6 kilometra larg qytetit. Jemi të detyruar ta paguajmë vetë transportin dhe të kërkojmë furgonë për të shkuar në fakultet. Vazhdimisht pyesim se deri ku ka arritur rikonstruktimi, por askush nuk na jep përgjigje konkrete. Herën e fundit më thanë se ende po kërkojnë një depo për ta zhvendosur inventarin nga konvikti dhe aty mbeti gjithçka”, deklaron një përfaqësues i studentëve të konviktit.

Drejtoresha e konviktit studentor, Milena Stojanovska, në një deklaratë për TV24 thotë se situata është jashtëzakonisht e komplikuar për shkak të problemeve të grumbulluara financiare dhe kadrovike. Ndërkohë, si pasojë e krizës, kanë filluar të vonohen edhe pagat e punonjësve të institucionit.

„Si drejtoreshë e re e konviktit, po përballem me probleme të mëdha financiare, kadrovike dhe të natyrave të tjera. Për gjendjen që kam gjetur i kam njoftuar menjëherë institucionet kompetente dhe kam zhvilluar një takim me ministren e Arsimit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje.

Aktualisht ndodhemi në një situatë specifike për shkak të fazës së rinovimit dhe akomodimit të përkohshëm në objektin e MPB-së. Problemet janë të mëdha, ndërsa është duke u zhvilluar edhe një procedurë për ndryshimin e ligjit, me qëllim shpëtimin e konviktit në çdo mënyrë të mundshme.

Unë, si drejtoreshë, së bashku me punonjësit, po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, por ndodhemi në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë financiare dhe kadrovike. Presim ndihmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Qeveria, e cila tashmë na është premtuar”, deklaron drejtoresha Milena Stojanovska.

Për ecurinë e procedurës dhe datën se kur do të nisin përfundimisht punimet e rinovimit, pritet një përgjigje zyrtare edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe, kjo nuk është sfida e parë me të cilën përballen studentët e konviktit „Nikola Karev”. Para zhvendosjes së tyre, institucioni ishte përballur edhe me ndërprerje të herëpashershme të furnizimit me energji elektrike për shkak të faturave të papaguara, duke e bërë edhe më të dukshme nevojën për një rinovim të plotë dhe zgjidhje sistemore të problemeve në menaxhimin e objektit.

artikuj të ndërlidhura