Konvikti studentor „Stiv Naumov” vazhdon të jetë objekt debati mes LSDM-së dhe ministres Vesna Janevska

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor Zhurnal.mk – Konvikti studentor „Stiv Naumov” vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes LSDM-së dhe ministres së Arsimit, Vesna Janevska. Nga LSDM-ja pretendojnë se konvikti po vazhdon të rrënohet, edhe një muaj pas përfundimit të rikonstruksionit.

Sipas LSDM-së, uji depërton nga të gjitha anët, mungon ngrohja dhe kushtet e qëndrimit janë të këqija. Pasi LSDM-ja kërkoi përgjegjësi nga ministrja Janevska, ajo iu përgjigj me një ftesë që së bashku ta vizitojnë konviktin studentor. Megjithatë, në vendin e takimit u paraqit vetëm ministrja, e cila i mohoi pretendimet se konvikti po rrënohet.

Ndërkohë, disa nga studentët me të cilët biseduam dhe që jetojnë në këtë konvikt shprehen të kënaqur me kushtet në objektin ku banojnë. Ata thonë se për problemet e pretenduara informohen kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Sa i përket vaktit studentor, Qeveria ka propozuar përmirësimin e skemës aktuale, duke rritur vlerën e tij nga 3.500 në 4.500 denarë. Propozimi parasheh që pagesa të realizohet përmes aplikacionit digjital M-Shërbime. Megjithatë, nëse kjo zgjidhje do të jetë e pranueshme për studentët, do të dihet pasi përfaqësuesit e tyre, përmes organeve përfaqësuese, të shprehin qëndrimin e tyre.

artikuj të ndërlidhura