Bruksel, 9 janar – Tregu i pasurive të paluajtshme në Bashkimin Evropian (BE) ka shënuar rritje të ndjeshme në tremujorin e tretë të vitit 2025, ku çmimet e banesave u rritën me 5,5 për qind, ndërsa qiratë u rritën me 3,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Eurostatit, të publikuara sot, trendi i rritjes së çmimeve vazhdoi edhe në baza tremujore, kështu që pasuritë e paluajtshme janë më të shtrenjta për 1,6 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa qiratë janë rritur për 0,9 për qind.
Në periudhën nga viti 2015 deri në fund të vitit 2025, çmimet e banesave në BE janë rritur mesatarisht për plot 63,6 për qind, ndërsa qiratë janë rritur për 21,1 për qind.
Ndërsa qiratë janë rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe pa goditje të mëdha gjatë dekadës së fundit, çmimet e banesave kanë pësuar luhatje, pasi periudhat e stagnimit janë alternuar me faza të rritjes jashtëzakonisht të shpejtë.
Kur analizohen vendet anëtare veç e veç, Hungaria dallohet si rekordmenja absolute për rritjen e çmimeve, pasi çmimet e banesave në këtë vend janë rritur për plot 275 për qind që nga viti 2015.
Përveç Hungarisë, çmimet janë dyfishuar në më shumë se 11 vende të tjera, ndërsa në krye të listës janë Portugalia, Lituania dhe Bullgaria, ku është shënuar një rritje prej mbi 150 për qind.
Përjashtim në hartën e Evropës është Finlanda, e cila është i vetmi vend ku çmimet e pasurive të paluajtshme sot janë më të ulëta se dhjetë vite më parë, përkatësisht kanë shënuar një rënie të lehtë prej rreth 2 për qind.
Foto: Wikipedia / Pasztilla aka Attila Terbócs

