Moskë – Kiev, 15 maj Zhurnal.mk – Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot nga 205 robër lufte secila, njoftuan Moska dhe Kievi, një javë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes palëve do të zhvillohej një shkëmbim i madh të burgosurish.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë në rrjetet sociale se “205 ushtarakë rusë u kthyen nga territori” i kontrolluar nga Kievi, ndërsa “në këmbim, 205 robër lufte të forcave të armatosura ukrainase u transferuan”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në Telegram se shumica e ukrainasve të liruar kishin qenë në robër në Rusi që nga viti 2022.
Presidenti Trump kishte njoftuar javën e kaluar se Rusia dhe Ukraina do të realizonin një shkëmbim të ndërsjellë prej 1 000 të burgosurish, ndërsa shpalli edhe një armëpushim treditor të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që përkoi me paradën ruse të 9 Majit për përvjetorin e fitores ndaj nazizmit.
“Kjo është faza e parë e shkëmbimit 1 000 me 1 000”, tha presidenti Zelensky.
Ai publikoi fotografi të ukrainasve të liruar, të mbështjellë me flamujt blu dhe të verdhë të Ukrainës, duke buzëqeshur dhe përqafuar njëri-tjetrin.
Sipas Zelenskyt mes të liruarve kishte ushtarë që morën pjesë në betejën e përgjakshme për uzinën e çelikut Azovstal në Mariupol, si dhe mbrojtës të centralit të Çernobilit, i cili ra përkohësisht nën kontrollin rus në fillim të pushtimit.
Shkëmbimet e robërve mbeten një nga fushat e rralla të bashkëpunimit mes dy vendeve, që janë në luftë që prej shkurtit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ushtarët rusë të kthyer u dërguan në Bjellorusi, ku “po marrin ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore”.
