Sanksionet ndaj Rusisë, forcat e armatosura evropiane bastisin anijen e flotës-hije

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Forca të armatosura evropiane hipën në bordin e një anijeje-cisternë në ujërat detit Mesdhe, që dyshohej se i përkiste asaj që njihet si flota-hije e Rusisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ditën e diel Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, sipas të cilës sekuestrimi i anijes u bë më herët gjatë javës.

Trupat, pjesë e misionit IRINI të Bashkimit Evropian, hipën në anijen-cisternë që po lundronte në ujërat mesdhetare me flamur të rremë.

“BE do të vazhdojë të prishtë operacionet e flotës-hije të Rusisë në det dhe përmes mjeteve diplomatike”, deklaroi Kallas në rrjetin “X”, ku paralajmëroi miratimin e sanksioneve të reja ndaj Moskës, që do të godasin bankat, blerësit dhe kompanitë që mbështesin flotën hije.

Rusia e përdor flotën në fjalë për të shmangur sanksionet e Perëndimit ndaj industrisë së saj të naftës. Kjo bëhet duke përdorur struktura komplekse pronësie, flamuj të rremë dhe taktika të tjera të projektuara për të kamufluar origjinën e ngarkesës.

Në gusht, forcat e misionit IRINI kryen një operacion verifikimi duke hipur në anijen “MV Sun”. Një aksion i ngjashëm u verifikua edhe më herët gjatë muajit ndaj një anijeje tjetër.

Misioni IRINI nisi në mars të 2020-s. Mandati fillestar i tij parashikonte parandalimin e trafikut të armëve, mbledhjen e informacionit mbi kontrabandën e naftës, bllokimin e zinxhirëve të trafikut të qënieve njerëzore, etj.

Në tetor, mandati i operacionit u zgjat deri më 31 mars 2029, me qëllim mbrojtjen e interesave evropiane në Mesdhe dhe vijimin e misioneve të paqes dhe stabilitetit në Libi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër