Selmani: Provimi i jurisprudencës mund të jepet shqip, institucionet të ndjekin shembullin e UT-së

Nga D. V.
755 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Profesori universitar Bashkim Selmani tha se provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe dhe maqedonase si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike, praktikë që sipas tij tashmë zbatohet në Universitetin e Tetovës.

Ai theksoi se për realizimin e kësaj të drejte mjafton formimi i një komisioni prej pesë anëtarësh shqiptarë, pa pengesa procedurale. Selmani i bëri thirrje institucioneve që i njëjti parim të aplikohet edhe në provimet shtetërore në vend.

“Për ta ilustruar këtë, po sjell një shembull të thjeshtë nga praktika universitare. Kur zhvillohet provimi me studentët nga bashkësitë e ndryshme, fillimisht pjesa e parë e studentëve e ndjek procesin në gjuhën maqedonase dhe disa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedurat e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por praktike dhe shumë e zakonshme.

Prandaj, i bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë që i njëjti parim, të cilin e dëshmon praktika jonë në provimin e jurisprudencës, të zbatohet edhe në të gjitha provimet shtetërore brenda shtetit.

Në këtë rast, ministri, si dhe ekspertët e tjerë, janë të detyruar ta emërojnë komisionin plotësues, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë apo pesë profesorë në gjuhën shqipe, ku do të parashtrohen pyetje-përgjigje, ndërsa procedura zhvillohet në gjuhën zyrtare dhe në gjuhën maqedonase”, tha Bashkim Selmani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër