Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, realizoi takim me ambasadorin Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE‑së në Shkup, dhe Rusudan Tabatadze, udhëheqëse e Departamentit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut pranë Misionit të OSBE‑së.
Në takim u bë një vlerësim i bashkëpunimit të deritanishëm në përgatitjen e ligjeve reformuese dhe në aktivitetet për zbatimin e Strategjisë Sektoriale të Zhvillimit të Sistemit të Drejtësisë 2024–2028.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhe teknike që Misioni i OSBE‑së siguron në procesin e reformave në drejtësi, veçanërisht në hartimin e Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për Procedurën Penale.
Gjatë takimit, ministrit Shasivari iu dorëzua ftesa për pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare “Krimi i organizuar në burgje”, e organizuar nga Misioni i OSBE‑së në Shkup, e cila do të mbahet më 2 dhe 3 shtator në Shkup.
Në konferencë pritet të marrin pjesë ministra, ambasadorë, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të institucioneve relevante, ku do të diskutohet për sfidat dhe praktikat më të mira në luftën kundër krimit të organizuar në institucionet korrektuese.
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë:
“Partneriteti shumëvjeçar me OSBE‑në ka rëndësi të madhe për krijimin e një kuadri modern dhe cilësor ligjor, të harmonizuar me standardet evropiane. Bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, në interes të forcimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë.”
