Një njoftim nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare bëri të ditur ndalimin e produkteve të zhvilluara nga “DeepSeek” – si dhe të mjeteve të krijuara duke përdorur “DeepSeek” nga palë të treta – duke theksuar se ato duhet të hiqen nga pajisjet e teknologjisë së informacionit.
“Modelet e ‘DeepSeek’ paraqesin vektorë të shumtë kërcënimi”, thuhet në një dokument që shoqëron njoftimin e së hënës.
Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale (IA) nga “DeepSeek” “mund të çojë në transferimin e të dhënave të ndjeshme drejt (Kinës), nëse përdoren nga punonjës të qeverisë amerikane ose nga kontraktorë”, paralajmëroi departamenti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Serverët e kompanisë ndodhen në Kinë, ku sistemi ligjor i jep qeverisë “autoritet të gjerë” për të pasur qasje në infrastrukturën e kompanive private, thuhet në njoftim.
“DeepSeek”, një nga laboratorët kryesorë të inteligjencës artificiale në Kinë, tronditi industrinë në janar të vitit 2025 me një “chatbot” me kosto të ulët dhe performancë të lartë, duke vënë në dyshim supozimet për dominimin e SHBA-së.
Në muajin prill, kompania publikoi një model të ri, V4 – i cili pritej prej kohësh – ndërsa këtë muaj prezantoi një version më të shpejtë dhe më të lehtë të V4.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar “DeepSeek” dhe firma të tjera kryesore kineze të inteligjencës artificiale se kanë vjedhur në mënyrë sistematike aftësitë e modeleve të avancuara, të zhvilluara nga rivalët amerikanë.
Pavarësisht konkurrencës së ashpër në këtë fushë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord në shtator për të krijuar një “kanal komunikimi” për incidentet që lidhen me inteligjencën artificiale.
Kjo çështje pritet të diskutohet sërish kur liderët e të dy vendeve të takohen muajin e ardhshëm në një samit që do të mbahet në qytetin kinez të Shenzhenit.
