Shefi i EULEX-it vlerëson SHKK-në: Lider jo vetëm në rajon, por edhe shembull për shtetet evropiane

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopez, me të cilin ka diskutuar për punën, të arriturat dhe zhvillimet në sistemin korrektues të vendit.

Gjatë takimit, Dibrani e njoftoi Lopezin me aktivitetet e SHKK-së dhe synimet për avancimin e mëtejmë të këtij sistemi, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim ka kontribuar në zhvillimin profesional të institucionit dhe ngritjen e standardeve të shërbimit.

Në takim u diskutua edhe për projektet e SHKK-së që kanë marrë vlerësime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Ekselencës nga International Corrections and Prisons Association (ICPA) për projektin “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.

Po ashtu, u përmend edhe përfshirja e SHKK-së në mesin e pesë iniciativave më të mira të EuroPris Prison Award, me projektin “Art from Prison: Transforming Incarceration into Opportunity”.

Shefi i EULEX-it, Antero Lopez, përgëzoi SHKK-në për të arriturat e deritanishme, duke e cilësuar atë si lider jo vetëm në rajon, por edhe si institucion që mund të shërbejë si shembull për shumë shtete evropiane.

Lopez vlerësoi veçanërisht rezultatet në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të dënuar.

“Sot Kosova është duke bërë një punë mjaft të mirë në kthimin e të burgosurve në shoqëri”, u shpreh Lopez.

Në fund të takimit, palët ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet SHKK-së, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, me fokus në forcimin e sistemit korrektues, zhvillimin profesional dhe avancimin e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër