Shkolla në Kosternik rrezikon mbylljen, MASH-i përgjegjësinë ia hedh Komunës së Kumanovës

Nga Xh M
1,604 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 26 qershor Zhurnal.mk – Paralajmërimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), se do të mbyllen disa shkolla periferike, dhe do të bashkohen me shkollat qendrore, ka shqetësuar prindërit e fshatit Kosternik të Kumanovës të cilët protestuan duke kërkuar që shkolla të mos mbyllet. Megjithatë Ministria e Arsimit dhe Shkencës përgjegjësinë e hedh te Komuna e Kumanovës e cila hesht.

Në shkollën e periferike “Vëllezërit Ribar” në Kosternik, në paralelet e gjuhës shqipe procesin edukativo-arsimor e ndjekin 10 nxënës. Këto statistika, shkollën e vendosin në kategorinë e shkollave për mbyllje. Banorët thonë se nëse mbyllet shkolla fëmijët do të duhet të udhëtojnë deri në 7 kilometra për në shkollë. Sipas banorëve, mbyllja e shkollës do të dërgojë edhe më shumë deri në emigrimin e të rinjve.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), edhe pse vet e kanë filluar procesin e optimizimit të shkollave, e hedhin topin te autoritetet lokale. Në një prononcim për Portalb.mk, thanë se procesi i optimizimit duhet të zbatohet. Nga atje shtuan se planifikimi për këtë proces ka filluar disa vite më parë, por zbatimi me mbështetjen e UNICEF-it dhe Bankës Botërore sapo ka filluar.

“Ekziston një numër i madh shkollash me shumë pak nxënës, për të cilat do të ishte më mirë të bashkoheshin me objektet më të afërta shkollore më të mëdha, pra me shkollat qendrore. Në këtë mënyrë, fëmijët do të socializohen më shumë, konkurrenca do të inkurajohet dhe ata do të edukohen në kushte më të mira infrastrukturore. Do të donim të theksonim se vitin e kaluar shkollor, 124 shkolla rajonale nuk regjistruan asnjë nxënës”, thonë nga MASH.

Nga atje shtuan se fjala e fundit si për bashkimin e shkollave ashtu edhe për mbylljen e tyre, u mbetet autoriteteve lokale. Edhe pse një gjë e tillë nuk paraqitet si problem nga ana e prindërve, MASH-i thekson se me procesin e optimizimit të rrjetit shkollor, asnjë mësues nuk do të largohet nga puna. MASH-i më tej thotë se përmes këtij procesi komunat do të kenë në dispozicion buxhet më të madh.

“Buxhetin që do e marrin komunat do të përdoret për të paguar pagat e mësuesve dhe shpenzimet e përgjithshme për funksionimin e shkollave, por do të kenë edhe fonde për të investuar në modernizim, digjitalizim të procesit dhe të ngjashme”, u shprehën nga MASH-i.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër