Shkup, 26 qershor Zhurnal.mk – “Ka pasur raste kur mjeku, me gjeste, tregonte qartë drejt xhepit, duke lënë përshtypjen se priste ryshfet.” Kjo është një nga përvojat negative që bashkëbiseduesja jonë ka pasur në sistemin publik shëndetësor. Ajo foli hapur për praktikat korruptive në shëndetësi, por këmbënguli të mbetet anonime.
Ajo tregon se gjatë jetës ka qenë disa herë dëshmitare e situatave që i kanë krijuar bindjen se paratë dhe dhuratat mund të ndikojnë në mënyrën se si trajtohet një pacient në një institucion shëndetësor.
Sipas saj, shumë qytetarë sot japin dhurata jo sepse duan vërtet të shprehin mirënjohje, por sepse kanë frikë se pa to nuk do të marrin kujdesin e nevojshëm.
“Kam qenë personalisht dëshmitare kur një i afërm i imi vendosi para në librezën shëndetësore për t’u operuar. Kam parë edhe një pacient të moshuar që qëndroi me javë të tëra në spital pa kujdesin e duhur dhe pa kushte dinjitoze. Pasi u dhanë para, qasja dhe kujdesi ndaj tij ndryshuan dukshëm”, rrëfen ajo.
Përvoja të tilla krijojnë ndjesinë se shërbimet shëndetësore nuk janë të barabarta për të gjithë. Edhe kur nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë për ryshfet, te pacientët mbetet dyshimi se ai që lë një dhuratë do të marrë më shumë vëmendje.
Pikërisht për këtë arsye shumë njerëz vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë praktikë. Jo sepse duan, por sepse besojnë se kështu funksionon sistemi. Nga brezi në brez përcillen këshillat: “çoje një kafe”, “blej një uiski”, “fut diçka në librezë”, “kështu bëjnë të gjithë”. Në këtë mënyrë, korrupsioni merr një emër të ri – mirënjohje.
Të dhënat nga hulumtimi i Shoqatës për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE tregojnë se pagesat joformale në shëndetësi përdoren më së shpeshti për të siguruar një termin më të shpejtë te specialisti ose për një shërbim diagnostikues (49,2%), për të marrë shërbim te një mjek apo ekip i caktuar (35,6%), për trajtim më të mirë nga specialisti (35,6%) dhe për të siguruar operacion ose shtrat spitalor pa pritje (30,5%).
“Dhënia e parave dhe e dhuratave është forma më e zakonshme e korrupsionit në shëndetësinë publike në Maqedoni. Madje 83 për qind e rasteve të kërkimit ose dhënies së ryshfetit lidhen me ‘zarfin me para’ ose me ndonjë lloj tjetër dhurate materiale. Gjatë hulumtimit tonë konstatuam se përdorimi i ‘lidhjeve’ dhe dhënia e dhuratave për punonjësit shëndetësorë, si pije apo ëmbëlsira, nuk perceptohen si sjellje korruptive. Megjithatë, ‘lidhjet’ krijojnë padrejtësi, sepse ata që i kanë do të marrin trajtim më të shpejtë ose më cilësor, ndërsa të tjerët do të presin, edhe pse mund të kenë përparësi më të madhe shëndetësore”, thonë nga Shoqata ESE.
Këto të dhëna tregojnë se qytetarët, në shumicën e rasteve, nuk paguajnë për diçka që nuk u takon, por për të marrë më shpejt shërbime që u garantohen me ligj.
Mjekët paralajmërojnë: Mirënjohja nuk blihet
Edhe pse në opinion shpesh ekziston perceptimi se punonjësit shëndetësorë i mbështesin këto praktika, një pjesë e tyre i kundërshtojnë publikisht dhuratat në shëndetësi.
Doktor Ivica Apostollov, i cili prej 36 vitesh punon në shëndetësinë publike dhe është kryetar i Shoqatës së Laborantëve Mjekësorë pranë Qendrës Klinike në Shkup, vlerëson se mirënjohja dhe respekti nuk duhet të maten me dhurata materiale.
Sipas tij, punonjësit shëndetësorë kanë zgjedhur një profesion, thelbi i të cilit është të ndihmojnë njerëzit, prandaj puna e kryer me sukses nuk duhet të shpërblehet me pagesa shtesë.
Apostollov paralajmëron se problemi më i madh është fakti që pacientët vihen në situatë të vendosin vetë nëse duhet të bëjnë një dhuratë, sa duhet të kushtojë ajo dhe kujt duhet t’i jepet.
“Nuk është normale që mjekimi dhe kujdesi ndaj pacientit të klasifikohen sipas vlerës së dhuratës që pritet”, thotë ai.
Sipas tij, praktika e sjelljes së kafes, çokollatave, uiskit apo zarfeve me para ka krijuar me kalimin e kohës përshtypjen se kjo është një procedurë standarde. Në vend që mirënjohja të shprehet me respekt dhe fjalë, ajo po lidhet gjithnjë e më shumë me vlera materiale.
Ai shton se shumë prej kolegëve të tij ndajnë të njëjtin qëndrim dhe se pikërisht punonjësit shëndetësorë duhet të ndihmojnë në zhdukjen e këtyre zakoneve.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe Shoqata e Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj. Ata thonë se mjekët e rinj përballen shumë rrallë me situata të tilla, pasi shumicën e ndërhyrjeve dhe operacioneve i kryejnë kolegët më me përvojë. Megjithatë, theksojnë se duan të jenë pjesë e brezit që do ta ndërpresë këtë praktikë.
Sipas tyre, sjellja e dhuratave krijon siklet edhe te vetë mjekët, veçanërisht kur ata paraprakisht kanë theksuar se nuk kanë nevojë për asnjë formë mirënjohjeje materiale.
“Krijohet bindja se nëse pacientët japin diçka, kujdesi ndaj tyre do të jetë më i madh. Për sa kohë që kjo praktikë ekziston, do të ekzistojë edhe dyshimi për cilësinë e punonjësve shëndetësorë dhe të shërbimeve shëndetësore”, thonë nga Shoqata.
Ata shtojnë se janë plotësisht kundër dhuratave të tilla dhe se si profesion duhet të jenë kategorikë në refuzimin e tyre, pasi paguhen pikërisht nga kontributet për sigurimin shëndetësor që i paguajnë qytetarët.
Kur korrupsioni bëhet kulturë sjelljeje
Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh nuk qëndron te rastet individuale të ryshfetit, por në momentin kur ato bëhen të pranueshme për shoqërinë.
Hulumtimi i ESE-së tregon se pothuajse gjysma e të anketuarve kanë raportuar marrjen e dhuratave ose vauçerëve të dakorduar para ofrimit të shërbimit. Për më tepër, raporti thekson se korrupsioni në shëndetësi nuk përbëhet vetëm nga kërkesa e drejtpërdrejtë për para, por edhe nga pagesat joformale, dhuratat, orientimi i pacientëve për të blerë barna në farmaci të caktuara ose për t’u drejtuar në ordinanca private dhe praktika të tjera që cenojnë barazinë në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore.
Veçanërisht shqetësues është fakti se këto praktika shpesh nuk perceptohen si korrupsion. Përkundrazi, ato justifikohen si traditë, shenjë respekti apo mirënjohjeje. Pikërisht kështu krijohet një kulturë ku si pacientët, ashtu edhe punonjësit shëndetësorë fillojnë t’i pranojnë si diçka normale.
Nga ESE paralajmërojnë se kjo normalizim e mjegullon kufirin mes sjelljes së ligjshme dhe asaj të paligjshme dhe rrit tolerancën ndaj korrupsionit. Kur dhurata bëhet e pritshme dhe jo një gjest vullnetar, ajo pushon së qeni mirënjohje dhe shndërrohet në një mekanizëm përmes të cilit qytetarët përpiqen të sigurojnë trajtim më të mirë.
“Shëndetësia është një nga sektorët ku ekziston dallimi më i madh mes korrupsionit të përjetuar dhe atij të raportuar. Mosraportimi i praktikave korruptive zakonisht është rezultat i frikës nga pasojat negative, humbja e qasjes në shërbime ose hakmarrja. Gratë shmangin më shpesh raportimin për shkak të frikës nga stigmatizimi, hakmarrja ose mungesa e besimit te institucionet, veçanërisht në kontekstin e shërbimeve gjinekologjike dhe obstetrike”, shpjegojnë nga Shoqata ESE.
Sipas bashkëbiseduesve, problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me ligje dhe ndëshkime. Nevojitet një ndryshim i kulturës së përgjithshme të sjelljes – si te pacientët, ashtu edhe te punonjësit shëndetësorë. Pacientët duhet të jenë të bindur se do të marrin shërbim cilësor pavarësisht nëse sjellin apo jo një dhuratë, ndërsa mjekët duhet të vazhdojnë t’i refuzojnë qartë këto praktika.
Hulumtimi i ESE-së mes punonjësve shëndetësorë tregon se nevojitet një paketë masash sistemore, që përfshin mbrojtjen e sinjalizuesve, kontrolle dhe sanksione më të forta, rritje të transparencës në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe paga dhe kushte më të mira pune.
Për sa kohë që ekziston bindja se një dhuratë hap dyer, ndërsa një zarf me para siguron kujdes më të mirë, do të vazhdojë të ekzistojë edhe dyshimi se sistemi shëndetësor nuk funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë. Dhe pikërisht ky dyshim është fitorja më e madhe e korrupsionit dhe humbja më e madhe e besimit në shëndetësinë publike.
https://fokus.mk/kafe-viski-ili-kovert-so-pari-patsientite-plakaat-od-strav-ne-od-blagodarnost/
