Bruksel, 3 tetor Zhurnal.mk – Një delegacion i Administratës Doganore Shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Besmir Beja, zhvilloi në Bruksel takimin e parë koordinues me Drejtorinë e Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Europian (DG TAXUD), në funksion të implementimit të sistemeve digjitale doganore të Bashkimit Europian dhe arritjes së ndërveprueshmërisë së plotë me mjedisin digjital doganor europian.
Gjatë takimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, diskutoi me drejtuesit përgjegjës për doganat dhe digjitalizimin në DG TAXUD mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”, si dhe mbi rezultatet e arritura nga Administrata Doganore Shqiptare.
Në fokus të diskutimeve ishte përmbyllja e proceseve legjislative për hartimin e Kodit të ri Doganor dhe dispozitave zbatuese të tij, si dhe progresi në zhvillimin e 22 sistemeve dhe moduleve të reja të teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me UNCTAD-in. Këto sisteme synojnë të përmbushin standardet e Bashkimit Europian dhe të sigurojnë ndërveprueshmërinë me sistemet doganore europiane, në funksion të procesit të integrimit.
Gjatë takimit teknik, përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe UNCTAD-it prezantuan përpara ekspertëve të Bashkimit Europian ecurinë e punës për secilin prej 22 sistemeve të reja.
Në këtë kuadër, u trajtua edhe situata aktuale dhe planifikimi për implementimin e ASYCUDA 5 (ASY5), si dhe zhvillimi i sistemeve të tjera digjitale doganore, përfshirë TARIC, National Single Window, ASYHUB dhe NCTS. Një vëmendje e veçantë iu kushtua koordinimit teknik dhe garantimit të ndërveprueshmërisë së sistemeve shqiptare me infrastrukturën digjitale të Bashkimit Europian.
Drejtori i Përgjithshëm, z. Besmir Beja, theksoi se digjitalizimi i infrastrukturës doganore dhe ndërveprueshmëria e saj me sistemet europiane përbëjnë një prioritet të rëndësishëm në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ai vlerësoi gjithashtu përgatitjen dhe kapacitetet profesionale të stafit të Administratës Doganore Shqiptare, i cili prezantoi punën e kryer për sistemet e reja përpara ekspertëve europianë.
Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe DG TAXUD, raportimit dhe monitorimit të progresit, shkëmbimit të pikave të kontaktit për projektet specifike dhe koordinimit të mëtejshëm teknik. Palët ranë dakord për zhvillimin e takimeve periodike të ekipeve teknike, si dhe për organizimin e takimeve tremujore për vlerësimin e ecurisë së përgjithshme të procesit.
Në përfundim të takimeve, u ra dakord që takimi i ardhshëm koordinues të zhvillohet pas tre muajsh në Tiranë, ku do të prezantohet progresi i arritur gjatë kësaj periudhe dhe hapat e mëtejshëm të punës.
Paralelisht me përgatitjet për implementimin e NCTS, Shqipëria po vijon edhe procesin ligjor për aderimin në Konventën për një Procedurë të Përbashkët Tranziti. Projektligji për miratimin e Konventës është përgatitur nga Administrata Doganore Shqiptare dhe pritet t’i përcillet për shqyrtim Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me procedurat kombëtare.
Takimi koordinues me DG TAXUD përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe në përmbushjen e angazhimeve për negociatat e Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”.
