Preshevë, 24 tetor Zhurnal.mk – Bashkimi i forcave politike shqiptare në atë që njihet si “Koalicioni Shqiptar” në Serbi për zgjedhjet e 25 tetorit paraqitet si një zhvillim i rëndësishëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, sipas hulumtuesi të Institutit “Octopus”, Gurakuq Kuçi.
Kuçi shpreh shqetësimin për atë që e përshkruan si zhdukje administrative etnike të shqiptarëve, duke përmendur pasivizimin e adresave, pengesat në punësim dhe vështirësitë në arsimim.
Sipas tij, këto probleme ndikojnë në pozitën shoqërore dhe politike të shqiptarëve në Serbi, teksa shtoi se bashkimi i shqiptarëve e bën një ri-organizim të tyre dhe nuk lejon që të shpërndahet vota, gjë që siç u shpreh ai, tashmë lista e përbashkët e shqiptarëve I kalon limitet e 3 për qindëshit.
Kuçi: Bashkimi i shqiptarëve në Serbi, lajm i jashtëzakonshëm – i kalon limitet e 3%
“Bashkimi i forcave shqiptare në Serbi për të garuar në një listë të përbashkët është një lajm jashtëzakonisht i mirë për shqiptarët sepse Serbia ka një aktivitet të jashtëzakonshëm të zhdukjes administrative etnike të shqiptarëve atje por edhe forma të tjera nga moslënia e punësimit të duhur, pastaj nga mos-shkollimi i duhur dhe shumë forma të tjera të cilat dëshirojnë zhdukjen etnike të shqiptarëve në rajon dhe po ashtu, përveç tjerash kanë marrë angazhime të ndryshme që serbët në rajonin ku banojnë shqiptarët të marrin poste dhe aktivitete shtetërore që në këtë mënyrë t’i eliminojnë”. Bashkimi i tanishëm i shqiptarëve e bën një ri-organizim atyre dhe nuk e lejon që të ri-shpërndahet vota, përveç tjerash përfitojnë edhe nga masat ligjore në Serbi për shkak se tani janë një subjekt politik i cili i kalon limitet e 3 për qindëshit dhe në këtë formë, përveç një deputeti mund të kemi gjasa reale që ndoshta edhe të kërkohet më shumë”, ka shtuar ai.
Tutje, ai tha se në këto zgjedhje në Luginë ka një angazhim të mirëfilltë nga shqiptarët, gjë e cila u shpreh se vërehet edhe në terren ku sipas tij, shqiptarët janë shumë më të angazhuar për zgjedhjet që do të mbahen këtë të diel atje.
Kuçi: Vërehet në terren që shqiptarët në Luginë janë shumë të angazhuar për këto zgjedhje
“Ka një angazhim të duhur politik për momentin nga shqiptarët por vërehet edhe nga terreni se shqiptarët janë shumë më të angazhuar tani për të marrë pjesë në zgjedhje, por përveç tjerash edhe bashkimi i shqiptarëve iu ka dhënë një frymë të re që opozitarizmi të mos shihet si një armiqësi mes shqiptarëve por si një bashkëpunim politik ose si një opozitarizëm politik për mirëqenien, stabilitetin dhe po ashtu avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Ky bashkim i ka bërë shqiptarët që të mobilizohen edhe ata që jetojnë në Kosovë por edhe në diasporë dhe ata që jetojnë në Serbi. Po besoj që ky mobilizim do të vazhdojë edhe në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Për sa i përket situatës me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë, Kuçi tha se deputeti apo deputetët e rinj shqiptarë angazhimin e tyre duhet ta kenë me ShBA-të, BE-në por edhe me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Pasivizimi i adresave në Luginë, Kuçi: Deputeti apo deputetët angazhimin ta kenë me ShBA-të e BE-në
“Si deputetë të Parlamentit të Serbisë, angazhimi i tyre duhet të jetë me organet ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë formë të krijojnë një rreth lobingu për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës por edhe në Serbi sepse ka shqiptarë që jetojnë edhe jashtë Luginës së Preshevës në Serbi dhe si i tillë të krijohet një lloj mobilizimi diplomatik. Përveç tjerash të mbajnë lidhje të ngushta me Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Shqipërisë në mënyrë që të ketë një bashkëpunim të shqiptarëve që të mbrohen të drejtat e tyre dhe që të mos lejohet që të fitojë propaganda serbe e cila është një gënjeshtër e kulluar por që ka një tendencë që t’i paraqes shqiptarët në forma që nuk janë të dëshirueshme”, deklaron Kuqi.
E, për sa i përket bashkimit të shqiptarëve në një listë të përbashkët, Kuçi tha se është fakt i pranuar edhe nga vet grupi atje që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur rol në pajtimin e shqiptarëve, së bashku me Bashkësinë Islame të Kosovës por edhe me intelektualë që kanë ndikim në atë zonë.
Ai kritikoi mos-dhënien e hapësirës mediale të nevojshme zgjedhjeve në Serbi dhe garimit në një listë të përbashkët të shqiptarëve atje.
Kuçi: Kurti, BIK-u e intelektualët ndikuan në bashkimin e shqiptarëve në Luginë
“Tashmë është fakt që është pranuar edhe nga vetë grupi atje që kryeministri Kurti ka pasur një ndikim solid i cili ka ndikuar në pajtimin e shqiptarëve. Pra, ka qenë një lloj ndërmjetësuesi dhe kjo çështje është e mirë sepse për shqiptarët duhet kontribuar në këtë çështje dhe duhet ndërmjetësuar që të mos ketë konflikte armiqësore por të ketë pajtim politik për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Përveç asaj, ndikim kanë pasur edhe strukturat e tjera, për shembull Bashkësia Islame e Kosovës dhe organizatat joqeveritare dhe intelektualë që kanë ndikim të shqiptarët që ky pajtim të zgjohet dhe po ashtu që shqiptarët të kenë një frymëzim të ri kundër pasivizimit të tyre që po ndodhë atje. Mirëpo, fatkeqësia ka qenë që në çështjen mediatike nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme shqiptarëve në Luginë dhe po ashtu ka pasur një indiferencë shumë të madhe në Kosovë ndaj zgjedhjeve atje, përkundër që është përfolur vazhdimisht fati i Kosovës dhe i shqiptarëve”, ka thënë ai.
Kurse profesori universitar Dorajet Imeri, thekson që pjesëmarrja e shqiparëve në zgjedhjet në Serbi, do të mund të rriste zërin e tyre në institucionin legjislativ serb.
IMERI: Kohën e fundi është intensifikuar shtypja ndaj shqiptarëve në Luginë
“Shtypja e vazhdueshme që Serbia i ka bërë shqiptarëve të luginës së Preshevës prej shumë vitesh, dhe sidomos në periudhën e fundit duke intensifikuar atë përmes pasivizimit të adresave, konsideroj që është njëra nga arsyet kryesore që ka shtyrë shqiptarët e atjeshëm që të garojnë për brenda një liste të përbashkët, që për mua është një nga, do të thoja, zgjedhjet e vetme politike që do të mund të reflektonte në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve që do të mbahen atje. Natyrisht, çdo angazhim politik nga Kosova në këtë drejtim është më se i mirëseardhur, ndonëse i vonuar dhe për herë të parë. Prandaj, unë konsideroj që kjo është gjëja shumë. E rëndësishme, siç duhet të potencohet tash, por mbi të gjitha është një ftesë, është thirrje, është edhe kërkesë për qytetarët e atjeshëm shqiptarë që të dalin masovisht në zgjedhje. Pjesëmarrja e tyre në numër sa më të madh do të mund të reflektonte në rezultatin përfundimtar dhe në këtë mënyrë shqiptarët do të mund të kenin më shumë zë në Kuvendin e Serbisë”, shton ai.
Sipas tij, çështja e parë që duhet të ruhet është ekzistenca e tyre, pasi Imeri thekson që përndjekja e shqiptarëve në Serbi është e madhe dhe sistematike.
Imeri për zgjedhjet në Serbi: Të ruajnë ekzistencën e tyre atje, që të ruajnë prezencën e tyre atje
“Shqiptarët, meqë thashë më herët, janë duke u përndjekur, do të thoja, politikisht dhe sistematikisht nga Serbia, çështjen kryesore që ata kanë është që të ruajnë ekzistencën e tyre atje, që të ruajnë prezencën e tyre atje, dhe natyrisht Kosova në këtë mes, por edhe Shqipëria, duhet që të bëjnë çfarë është e mundur që, përveç zërit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, të kenë edhe përkrahjen ndërkombëtare të Kosovës dhe të Shqipërisë sa i takon ndërkombëtarizimit të kësaj çështjeje. Shqiptarët, në luginën e Preshevës, janë pa dyshim pakica më e shtypur në Europë, dhe për këtë arsye zëri i Kosovës, por edhe i Shqipërisë, duhet me patjetër që të dëgjohet në çdo forum, në çdo takim, ose në çdo ngjarje të politikës botërore, aty ku merr pjesë Kosova, në mënyrë që kjo çështje të, si ta themi, ta marrë vëmendjen e merituar nga faktorët e rëndësishëm botërorë. Gjithsesi, Bashkimi Europian është i pari në këtë mes, dhe natyrisht Kosova duhet të bëjë çfarë është e mundur në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi, të cilat mbahen të dielën, më 25 tetor.
