Shkup, 27 prill, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ishte një nga partitë më dinamike të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por nuk është më.
Historia e saj, përkatësisht e grupeve të saj, është e mbushur me revolta, përçarje, ndarje dhe kombinime të vazhdueshme, duke reflektuar egot e tensionet e brendshme të cilat dërguan në tentime ri-pozicionimi në skenën politike.
Kjo bëri që nga një ASH që në fillim hyri në skenë si opsion konkurues të shndërrohet në grupacione shetitëse, për t’ia humbur imazhin që e kishte e njëjta në fillim të krijimit të saj, shkruan Zhurnal.mk
Kronologjia e ngjarjeve në ASH
Viti 2015 nisi me revoltën e protagonistit kryesor të ASH-së, Ziadin Sela. Në në mars të atij viti, Sela largohet nga PDSH pas përplasjes me Menduh Thaçin.
E themeloi Lëvizjen për Reforma në PDSH (LR-PDSH), duke e nisur aktivitetin politik në Strugë. Ky moment shënon pikën e parë të rebelimit kundër strukturave tradicionale të PDSH-së. E nisi në Strugë por për një kohë shumë të shkurtë në mënyrë shumë masive u shtri në shumë komuna e qytete të banuara me shqiptarë.
Kjo shtrirje e nxiti që pastaj të themelojë parti të re politike të cilën e emërtoi: Aleanca për Shqiptarët, duke u prezantuar si alternativë e re opozitare.
Marsi i vitit 2018 ishte muaji kur u organizua Kongresi i parë i ASH-së, ku Ziadin Sela zgjidhet kryetar. ASH krijoi terren si parti opozitare, duke u pozicionuar kundër BDI-së.
Kulmi elektoral për ASH-së i cili nuk zgjati shumë
Në korrik të vitit 2020 në zgjedhjet parlamentare, ASH në koalicion me Alternativën arriti 82 mijë vota dhe 12 deputetë. Ky është kulmi i fuqisë politike të ASH-së, duke u bërë faktor i rëndësishëm në Kuvend.
ASH pastaj përjetoi një rënie, sidomos pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021.
Një vit më vonë, në emër të reflektimit dhe marrjes së përgjegjësisë nga rezultati i dobët në zgjedhje, Ziadin Sela, dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. I hap rrugë mikut të tij, Arben Taravari, mjek dhe kryetar i Gostivarit, i cili zgjidhet kryetar i ASH-së.
Përçarja e madhe e vitit 2024
Para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, Taravari shkoi në koalicionin VLEN. Sela nuk pajtohet me këtë vendim dhe ASH ndahet në dy pjesë.
Grupi i Selës i bashkohet Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI e Ali Ahmeti, dikur kundërshtarë të rreptë. Pas zgjedhjeve, ASH ndahet në dy fronte zyrtare : krahu i Taravarit që ishin pjesë e pushtetit me VLEN, dhe krahu i Selës në opozitë bashkë me BDI-në.
Krahu i tretë
Me daljen e ASH-Taravarit nga VLEN dhe qeveria, Arben Fetai, zëvendëskryeministër dhe ministër për Qeverisje të Mirë, në 2025 krijon një grup të tretë brenda ASH-së. Ai e paraqiti projektin e tij me “filozofinë” e Arben Xhaferit dhe me orientimin drejt BE-së, të cilën në fakt e kanë krejt partitë shqiptare të vendit.
Situata aktuale
Beteja midis Taravarit dhe Selës nuk përfundoi me kaq. Kësaj përçarje i mungonte edhe pronari i vulës së partisë. E gjykata vendosi që vulat zyrtare t’i takojnë krahut të Arben Taravarit. Pas këtij vendimi Ziadin Sela u detyrua që të emërtoi grupin e tij, dhe tash e ka të regjistruar si Lidhja Shqiptare.
Arben Fetait nuk i zgjati shumë puna në VLEN. Ai kohëve të fundi nuk shihet në ndërtesën e qeverisë, dhe thuhet se është kthyer për të jetuar përsëri në Bruksel.
Tash përsëri kemi një ASH, por me dy pjesë të shkëputura nga ajo fillestarja. E prej këtyre dy pjesëve, njëra ka emër të ri, e tjetra e pa emër dhe e zhbërë e me kreun e saj jashtë vendit.
Shëtitja e grupacioneve nëpër aleanca të ndryshme, përplasja, pastaj dalja, sikur është bërë një rregullë e pashkruar nga të parët dhe më të mëdhenjtë e dikur ASH-së, që me gjasë do të ndikojë në kohë për të arritur stabilizimin e ASH-së së Taravarit e Lidhjes Shqiptare të Selës, për të mundur llogaritur në ndonjë rritje eventuale.
Gabimet e krerëve në të kaluarën dhe zhgënjimi i votuesëve me tetëshet e tyre do t’iu marrin të njëjtëve kohë për të rikthyer besimin e ASH-së që dikur e kishte si një parti e vetme. /Zhurnal.mk
