Siljanovska-Davkova: Integrimi në BE, investim për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Nga D. V.
468 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 shkurt – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Shkup, se nuk ka investim më të madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Presidentja Siljanovska-Davkova e cilësoi vizitën si konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, duke theksuar se ato ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë, besimin, partneritetin dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane.

Ajo nënvizoi se dialogu politik mes dy vendeve është i hapur dhe i bazuar në mirëkuptim.

Duke u ndalur te bashkëpunimi ekonomik, Presidentja vlerësoi se ekziston hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, si dhe një potencial i pashfrytëzuar mes komuniteteve të biznesit.

Ajo theksoi nevojën për intensifikimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe përmirësimin e lidhshmërisë ndërkufitare.

Sa i përket integrimit evropian, Presidentja theksoi se perspektiva evropiane e Shqipërisë është më afër se më parë dhe shprehu mbështetje për përparimin e mëtejshëm të vendeve të rajonit drejt BE-së.

Ajo nënvizoi se anëtarësimi kërkon thellim të reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike, në përputhje me kriteret e Kopenhagenit dhe procesin e evropianizimit.

Në fushën e sigurisë, ajo vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, duke theksuar kontributin e përbashkët në ruajtjen e paqes në nivel rajonal dhe më gjerë.

Presidentja Siljanovska-Davkova bëri të ditur se vizitës i ishte bashkuar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në arsim dhe shkencë, si dhe për thellimin e lidhjeve mes institucioneve akademike dhe kulturore të dy vendeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër