Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, tubim paqësor në mbështetje të studentëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 tetor, Zhurnal.mk – Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka nisur sot marshimin paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 7 ditësh në Tiranë.

Pedagogë e studentë janë mbledhur para Universitetit Politeknik të Tiranës dhe kanë vijuar marshimin me moton “Stop dhunës ndaj studentëve” para Kryeministrisë.

Gjithashtu nga ana e pedagogëve është bërë edhe një peticion, ku bëhet thirrje që të dëgjohen kërkesat e studentëve.

Në fjalën e tij para studentëve dhe pedagogëve, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Aleksandër Kovaçi tha se “qeveria, me gjithë kërkesat që kemi bërë edhe ne si sindikatë që në mars të këtij viti, nuk ka denjuar të përgjigjet zyrtarisht”.

“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi as studentët, as lëvizjen që më 31 maj, kur nuk u përgjigjet protestuesve paqësorë, duhet të presësh protesta të revoltuara”, u shpreh ai.

“Siç është theksuar edhe gjatë lëvizjes katërmujore, e cila nuk është dëgjuar nga pala tjetër, sot jemi në situatën kur duhet një zgjidhje. Kjo zgjidhje duhet të vijë nga politika. Nëse politika nuk është e zonja, t’u hapë rrugë pesë kërkesave që kemi paraqitur dhe zgjidhjes politike”, theksoi Kovaçi.

Sipas tij, qëndrimi i pedagogëve është në mbështetje të studentëve. Kovaçi bëri thirrje për tubime të përditshme në orën 10:00 para Universitetit Politeknik të Tiranës.

“U bëjmë thirrje prindërve të mbështesin protestën e fëmijëve të tyre, të studentëve dhe nxënësve shqiptarë”, shtoi ai, duke komentuar edhe ftesën për dialog nga ana e kryeministrit Rama.

“Zgjidhini problemet me studentët. Ne jemi me studentët, nuk ka komunikim me pedagogët”, tha ai.

Protesta e të rinjve hyn sot në ditën e tetë. Gjatë këtyre ditëve si pasojë e përplasjes ka pasur të lënduar si nga ana e protestuesve ashtu dhe nga ana e policisë. Të lënduar kanë mbetur edhe të mitur, gazetarë dhe kalimtarë.

Më herët në një njoftim publik, sindikata shprehu shqetësimin për situatën e krijuar gjatë protestave të studentëve, të cilat vijojnë prej shtatë ditësh, dhe dënoi atë që e cilëson si dhunë policore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër