Sisteme fotovoltaike në të gjitha shkollat fillore të Gjorçe Petrovit, a do ta ndjekin këtë shembull edhe komunat shqiptare?

Nga R.ZH
685 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Komuna e Gjorçe Petrovit ka nisur realizimin e një projekti që e cilëson si një nga më të rëndësishmit dhe më inovativët në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke paralajmëruar vendosjen e sistemeve fotovoltaike në të gjitha shkollat fillore komunale.

Sipas njoftimit të komunës, bëhet fjalë për projektin e parë të këtij lloji në Maqedoninë e Veriut që do të realizohet përmes modelit të partneritetit publiko-privat.

Në kuadër të projektit, në kulmet e të shtatë shkollave fillore komunale do të vendosen sisteme moderne fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike.

Komuna thekson se projekti nuk do të paraqesë barrë shtesë për buxhetin komunal. Sipas modelit të partneritetit publiko-privat, Komuna e Gjorçe Petrovit do të përfitojë 18 për qind të të ardhurave të krijuara nga prodhimi i energjisë elektrike.

Autoritetet komunale vlerësojnë se me realizimin e projektit do të rritet efikasiteti energjetik i objekteve arsimore, do të prodhohet energji e pastër dhe e ripërtëritshme, ndërsa të ardhurat e krijuara do të riinvestohen në projekte të tjera me interes për qytetarët.

Përveç përfitimeve ekonomike, komuna thekson se projekti do të kontribuojë edhe në uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe në promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me standardet evropiane të zhvillimit të qëndrueshëm.

Me këtë investim, Komuna e Gjorçe Petrovit thotë se konfirmon orientimin e saj drejt zgjidhjeve inovative, menaxhimit racional të resurseve publike dhe krijimit të kushteve më të mira për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët.

Në të njëjtën kohë, ky projekt ngre edhe pyetjen nëse komuna të tjera në vend, përfshirë komunat me shumicë shqiptare, do të ndërmarrin iniciativa të ngjashme për vendosjen e sistemeve fotovoltaike në shkolla, me qëllim uljen e shpenzimeve për energji dhe rritjen e investimeve në arsimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër