Lubljanë, 24 tetor Zhurnal.mk – Sllovenia ka vendosur një sistem të ri kamerash në disa segmente të autostradave, të cilat matin shpejtësinë mesatare të automjeteve përgjatë një distance të caktuar, në vend që ta regjistrojnë atë vetëm në një pikë të vetme.
Sistemi synon të rrisë sigurinë në trafik dhe të parandalojë praktikën e shoferëve që ngadalësojnë vetëm kur afrohen te kamerat, për të përshpejtuar sërish pasi i kalojnë ato, shkruan mediumi kroat “Index”.
Ndryshe nga radarët tradicionalë, kamerat e reja regjistrojnë kohën kur automjeti hyn në segmentin e monitoruar dhe kohën kur del prej tij. Duke krahasuar kohën e udhëtimit me distancën e përshkuar, sistemi llogarit shpejtësinë mesatare të automjetit.
Për shembull, nëse një shofer përshkon një segment prej 10 kilometrash për katër minuta, shpejtësia mesatare e tij arrin në 150 kilometra në orë. Në një segment ku kufizimi është 130 kilometra në orë, kjo përbën tejkalim të shpejtësisë së lejuar, pavarësisht se sa ngadalë ka lëvizur automjeti pranë kamerave.
Sipas të dhënave të Zyrës Sllovene të Metrologjisë, sistemi i kontrollit të shpejtësisë mesatare është vendosur në katër lokacione të autostradave:
A1, Logatec–Vrhnika, në drejtim të Lubjanës;
A2, Ljubljana Brod–Vodice, në drejtim të Kranjit;A2, Grosuplje–Ivančna Gorica, në drejtim të Novo Mestës;
A1, Podmilj–Ločica, në drejtim të Mariborit, në zonën e tunelit Trojane.
Gjobat arrijnë deri në 1.200 euro
Gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në autostradat e Sllovenisë variojnë nga 40 deri në 1.200 euro, në varësi të shkallës së shkeljes.
Sipas të dhënave të publikuara në raportimin e cituar, gjobat për tejkalimet e shpejtësisë janë:
Për tejkalim deri në 10 km/h, gjoba është 40 euro;
Për tejkalim nga 10 deri në 30 km/h, gjoba është 80 euro;
Për tejkalim nga 30 deri në 40 km/h, gjoba është 160 euro;
Për tejkalim nga 40 deri në 50 km/h, gjoba është 250 euro.
Për tejkalime edhe më të mëdha parashihen gjoba më të rënda. Shoferët që tejkalojnë kufirin e lejuar me më shumë se 60 km/h mund të gjobiten deri në 1.200 euro.
Për shkeljet më të rënda, përveç gjobave në para, parashihen edhe pikë ndëshkuese.
Me këtë sistem, autoritetet synojnë që kontrolli i shpejtësisë të mos kufizohet vetëm në një moment të caktuar, por të mbulojë të gjithë segmentin rrugor nën monitorim.
