Shkup, 7 mars – Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov e dënon veprimin e autoriteteve në Sofje për t’i shqiptuar ndalim hyrjeje në shtet për një periudhë prej 10 vitesh avokatit Toni Menkinoski, përfaqësues juridik i shoqatave të maqedonasve nga Bullgaria para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, thuhet në njoftim.
Ky është një veprim pa precedent në një vend anëtar të Bashkimit Evropian që i ndalon të drejtën e lëvizjes dhe angazhimit profesional një avokati në një vend tjetër anëtar të BE-së vetëm për faktin se përfaqëson qytetarë që luftojnë për të drejtat e tyre si pakicë.
Me këtë veprim, Bullgaria para gjithë Evropës demonstron në mënyrë arrogante se jo vetëm që nuk i njeh maqedonasit si pakicë, por edhe pengon betejën e tyre për regjistrimin e shoqatave që po e zhvillojnë para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila deri më tani ka dhënë 14 vendime në favor të tyre.
Është e qartë se Sofja zyrtare, e cila prej vitesh e injoron drejtësinë e Strasburgut, po fillon të tregojë nervozizëm dhe në mënyrë të pamëshirshme po përballet me ata që arrijnë të dëshmojnë sjelljen e saj anticitivilizuese në mohimin e maqedonasve.
Demokratski Sojuz pret reagim nga organizatat evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për këtë veprim, ndërsa njëkohësisht i bën thirrje autoriteteve maqedonase të reagojnë me një notë proteste drejtuar Sofjes.
