SPAK i ka zbuluar disa vila ish-zv/kryeministres, Këlliçi ironizon paketën fiskale: Rama i shpall luftë Ballukut me taksën e vilave në bregdet

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 tetor Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ironizuar paketën fiskale të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke e lidhur paralajmërimin për taksimin e vilave në bregdet me situatën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimet ndaj saj.

Në një reagim në Facebook, Këlliçi pretendon se Rama po kërkon të hakmerret ndaj bashkëpunëtores së tij më të afërt, pasi, sipas deputetit demokrat, kjo e fundit e ka vënë kryeministrin në një pozitë të vështirë për shkak të çështjes së saj penale.

“Edi Rama duket se ka gjetur mënyrën për t’u hakmarrë ndaj Ballukut, pasi ka duruar pengmarrjen e saj të gjatë. Natyrisht, bashkëpunëtorja më e ngushtë e tij ka gjetur pengun e duhur, Kryeministrin, për t’i shpëtuar burgut dhe për të qenë e lirë, edhe pse ka 5 akuza të rënda dhe 13 vepra penale në kurriz”, shkruan Këlliçi.

Duke vijuar ironinë ndaj kreut të qeverisë, deputeti i PD-së e cilëson atë si drejtues të një “organizate” dhe pretendon se taksa e paralajmëruar për vilat në bregdet është një formë shpagimi ndaj Ballukut.

“Por kreu i organizatës nuk rri duarkryq. Ai ka menduar një plan shpagimi dhe këtë e theksoi sot në monologun e tij. Edi Rama tha se do të ketë një goxha taksë të madhe për vilat në bregdet. Kjo është masa që ai ka menduar si ndëshkim ndaj Ballukut”, vijon reagimi i deputetit demokrat.

Këlliçi përmend edhe disa prona në zonën e Palasës dhe të Dhërmiut, për të cilat pretendon se janë zbuluar nga SPAK-u në kuadër të hetimeve që lidhen me Ballukun.

“Deri tani, për bashkëpunëtoren kryesore në vjedhje, SPAK ka zbuluar tri vila, dy binjake në Palasë dhe një në Dhërmi. Por me 1.2 miliardë euro që Balluku ka abuzuar me taksat e shqiptarëve, ajo me siguri nuk do ta ketë të vështirë të paguajë edhe taksat për vilat e saj luksoze”, përfundon Këlliçi.

Reagimi i deputetit të PD vjen pas deklaratave të Ramës për ndryshimet e planifikuara në paketën fiskale për vitin 2027, ku kryeministri njoftoi masa të reja tatimore, përfshirë ndryshime që lidhen me pronat në bregdet.

artikuj të ndërlidhura