Netanyahu me akuza të rënda: Arabët vodhën zgjedhjet, ata duan zhdukjen e Izraelit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tel Aviv, 28 tetor Zhurnal.mk – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të partive arabe, pas rezultatit surprizues që arritën në zgjedhjet parlamentare të vendit.

Teksa ka shpërndarë deklaratën e partisë së tij, Likud, Netanyahu i akuzon partitë arabe për vjedhje të zgjedhjeve, duke pretenduar se ata janë mbështetës të terrorizmit dhe kërkojnë “shkatërrimin e shtetit hebre”.

Sipas rezultateve të deritanishme, blloku i partive që mbështet Netanyahu ka arritur të sigurojë 52 mandate, ndonëse më tepër se opozitarët me 49 në tilla, sërish larg pragut prej 61 mandatesh për të ndërtuar qeverinë e re.

Partitë arabe arritën të sigurojnë 19 mandate, duke ia artibuuar këtë pjesëmarrjes masive në zgjedhje. Arabët e izraelit përbëjnë gati 20 për qind të popullsisë. Lideri i partive arabe ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me bllokun opozitar për të larguar Netanyahun.

Ai pretendon se ka fakte për manipulimin e zgjedhjeve dhe thotë se do ia paraqesë ato organeve kompetente.

Deklarata e plotë e shpërndarë nga Netanyahu:

Zgjedhjet në Shtetin e Izraelit janë vjedhur nga partitë arabe, të cilat mbështesin terrorizmin dhe shkatërrimin e shtetit hebre, përmes veprave të rënda penale si ryshfeti, kërcënimet, dhuna, falsifikimet dhe përdorimi i softuerëve të ndaluar për mobilizimin e votuesve.

Partia Likud po i dorëzon policisë, shërbimit të sigurisë “Shin Bet” dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qindra dëshmi dhe prova lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve në shumë qendra votimi arabe – duke përfshirë mijëra zarfe me para të gatshme dhe fletëvotime të partisë “Ra’am”, kërcënime e dhunë ndaj anëtarëve të komisioneve të votimit, votime të shumëfishta pas perdes, votime me identitete të dyfishta, mospërputhje midis numrit të zarfeve dhe numrit të votuesve, përdorim të softuerëve të ndaluar për mobilizim, e të tjera.

Ne kërkojmë nga policia dhe “Shin Bet”-i një hetim të plotë mbi vjedhjen e zgjedhjeve nga partitë arabe, si dhe ndjekjen penale të plotë të autorëve të këtyre krimeve.

Ne kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një reagim të menjëhershëm për të hetuar këto vepra penale, të cilat kanë dëmtuar rëndë integritetin e zgjedhjeve në Izrael dhe rezultatet e tyre.

Kjo përbën një goditje të rëndë për demokracinë izraelite dhe për të drejtat e votës të qytetarëve të Izraelit. Organet e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë me dorë të hekurt dhe në mënyrë të menjëhershme.

artikuj të ndërlidhura