Dispozitat e përcaktuara në njoftimin zyrtar të publikuar të martën, bashkërisht nga Ministria e Financave, Banka Popullore dhe Administrata Kombëtare Rregullatore Financiare, do të zbatohen nga 1 shtatori i këtij viti deri më 31 gusht 2026.
Gjatë kësaj periudhe, individët mund të marrin subvencione interesi për pjesë të kredive personale konsumi, të lëshuara nga institucionet huadhënëse, me kusht që fondet të përdoren për qëllime konsumi dhe transaksionet të mund të verifikohen përmes llogarive të shpërndarjes së kredisë.
Shpenzimet e mbuluara përfshijnë transaksione të vetme nën 50.000 juanë (rreth 7001 dollarë amerikanë), si dhe transaksione të sektorit prioritar prej 50.000 juanësh ose më shumë që përfshijnë automjete shtëpiake, kujdes për të moshuarit, mbështetje për lindjen e fëmijëve, arsim e trajnim, kulturë e turizëm, mobilie e dekorime shtëpiake, elektronikë, shërbime shëndetësore dhe mjekësore.
Shuma maksimale e subvencionuar e konsumit për transaksion është e kufizuar në 50.000 juanë.
Subvencionet mund të shtrihen ose të zgjerohen për konsum në më shumë zona bazuar në rezultatet e zbatimit, thuhet në njoftim.
Qeveria qendrore do të mbulojë 90 për qind të fondeve të subvencioneve, ndërsa qeveritë provinciale 10 përqindëshin e mbetur.
Institucionet e kualifikuara të huadhënies përbëhen nga 6 banka tregtare shtetërore, 12 banka tregtare kombëtare me aksione të përbashkëta dhe 5 huadhënës të caktuar të konsumatorëve.
Qeveritë lokale inkurajohen të shtrijnë subvencionet për institucionet financiare rajonale për të zgjeruar mbulimin e politikave.