Tiranë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Administrata Tatimore ka vendosur në fokus tregtinë dhe shërbimet online, duke paralajmëruar shtimin e monitorimeve dhe verifikimeve për subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik në internet.
Përmes Planit Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, Administrata Tatimore synon të rrisë respektimin e detyrimeve tatimore, formalizimin e aktivitetit ekonomik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve.
Sipas Administratës Tatimore, zhvillimi i aktivitetit ekonomik në internet sjell nevojën për një monitorim më të madh të përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet që operojnë në këtë sektor.
Në këtë kuadër, subjektet e tregtisë dhe shërbimeve online ftohen të marrin masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi.
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve që ushtrojnë aktivitet online të sigurojnë përmbushjen e detyrimeve të tyre, në funksion të një tregu më formal dhe konkurrues.
