Programi i ri i Radevit: Të drejtat e bullgarëve në RMV mbeten prioritet

Nga R.ZH
1,140 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofje/Shkup, 17 gusht, Zhurnal.mk – Në prag të shënimit të 100 ditëve të para të mandatit, Qeveria e Bullgarisë e udhëhequr nga kryeministri Rumen Radev ka publikuar Programin për qeverisjen e vendit deri në vitin 2030, ku një vend të rëndësishëm zë politika e jashtme dhe marrëdhëniet me shtetet fqinje, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në kapitullin kushtuar diplomacisë, të titulluar “Diplomaci dypalëshe aktive, parimore dhe me përgjegjësi kombëtare”, Qeveria bullgare riafirmon angazhimin për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por thekson se ato duhet të bazohen në respektimin e marrëveshjeve dhe detyrimeve të marra nga palët.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, dokumenti vë në pah mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve me vetëdije bullgare si një nga prioritetet kryesore të politikës së Sofjes ndaj Shkupit. Qeveria bullgare thekson se avancimi i marrëdhënieve bilaterale do të varet nga zbatimi i obligimeve të dakorduara dhe respektimi i standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Programi gjithashtu konfirmon mbështetjen e Bullgarisë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

Megjithatë, Sofja mbetet në qëndrimin e saj se progresi i vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE duhet të jetë i lidhur me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve të përcaktuara në kuadër të procesit negociues.

Publikimi i programit vjen në një periudhë kur në qarqet diplomatike evropiane po zhvillohen përpjekje intensive për tejkalimin e pengesave që vazhdojnë të bllokojnë avancimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.

Dokumenti i ri strategjik i Qeverisë së Rumen Radevit sinjalizon vazhdimësi të politikës bullgare ndaj Shkupit.

Nga njëra anë, Sofja shpreh mbështetje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa nga ana tjetër insiston në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe garantimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut si kusht për avancimin e mëtejshëm të procesit.

Programi deri në vitin 2030 pritet të shërbejë si dokumenti kryesor orientues i politikës së jashtme bullgare në vitet e ardhshme, duke përcaktuar qasjen e Sofjes ndaj fqinjëve të saj dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. (Zhurnal.mk)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër