Të paktën 14 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Rio De Zhaneiro, 20 tetor, Zhurnal.mk – Të paktën 14 persona humbën jetën dje nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari në jugperëndim të Kolumbisë.

Aksidenti ndodhi në një zonë rurale të bashkisë Santa Bárbara de Iscuandé, në bregdetin e Oqeanit Paqësor, njësia administrative Nariño, njoftuan autoritetet rajonale.

“Të paktën shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur”, deklaroi Álex González, sekretar për paqen dhe të drejtat e njeriut në Nariño.

Mediat lokale raportuan se më shumë se 40 persona po punonin në minierë kur ndodhi shembja. Fillimisht, nuk është bërë i ditur shkaku i saktë i rrëshqitjes së dheut.

González vuri në dukje se veprimtaria minerare në rajonin e Paqësorit në Kolumbi përgjithësisht nuk kontrollohet dhe rregullohet siç duhet.

Nxjerrja e arit është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë kolumbianë.

Megjithatë, ky metal i çmuar nxirret shpesh pa lejet e nevojshme dhe pa masa sigurie, duke shkaktuar aksidente të përsëritura me viktima.

Sipas një raporti të vitit 2025, të hartuar nga qeveria kolumbiane dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), tri të katërtat e zonave të evidentuara ku nxirret ari nga sedimentet e lumenjve nuk ishin të autorizuara për këtë veprimtari.

Në gusht, 13 persona humbën jetën në një aksident të ngjashëm në një minierë në bashkinë Policarpa, gjithashtu në njësinë administrative Nariño.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër