Tiranë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Sektori ujësjellës-kanalizime ka shënuar përmirësim të performancës gjatë vitit 2025, duke reflektuar progres në disa prej treguesve kryesorë të shërbimit, ndërsa për herë të parë rezultatet e shoqërive po maten përmes një Indeksi Kompozit.
Risia u prezantua nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) gjatë prezantimit të Raportit të Performancës për vitin 2025, ku u theksua rëndësia e një vlerësimi më të integruar të sektorit dhe përdorimit të të dhënave për orientimin e reformave dhe investimeve.
Indeksi Kompozit përfshin 12 tregues, të ndarë në tri dimensione: qëndrueshmëria financiare, eficienca operacionale dhe cilësia e aksesueshmëria e shërbimit. Përmes këtij instrumenti synohet krijimi i një pamjeje më të plotë të performancës së shoqërive ujësjellës-kanalizime dhe identifikimi më i qartë i fushave ku nevojiten ndërhyrje.
Kryetarja e ERRU-së, Gerta Lubonja, e cilësoi progresin e vitit 2025 një rezultat pozitiv, duke nënvizuar se matja e performancës duhet të shërbejë si bazë për vendimmarrje dhe përmirësime të mëtejshme.
“Mesazhi i përgjithshëm i këtij raporti është pozitiv: sektori ka shënuar përmirësim gjatë vitit 2025. Ky është një rezultat që duhet vlerësuar, por edhe një nxitje për të vijuar punën”, tha Lubonja.
Sipas saj, të dhënat e performancës duhet të ndihmojnë institucionet dhe shoqëritë të përcaktojnë më mirë prioritetet, të adresojnë problematikat dhe të orientojnë investimet aty ku ndikimi te qytetarët është më i madh.
Raporti evidenton gjithashtu sfida që lidhen me qëndrueshmërinë financiare, eficiencën e operimit dhe zgjerimin e shërbimeve të kanalizimeve. Diferencat mes shoqërive mbeten të pranishme, çka e bën matjen e rregullt të performancës një instrument të rëndësishëm për ndjekjen e progresit.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, vlerësoi rezultatet e evidentuara gjatë vitit 2025 dhe theksoi rëndësinë e përdorimit të tyre për orientimin e reformave dhe investimeve të ardhshme në sektor.
Ndërsa Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, u shpreh se përmirësimet në qeverisje, mbikëqyrje dhe monitorimin e performancës duhet të përkthehen në shërbime më cilësore dhe më të qëndrueshme për qytetarët.
Sipas tij, shërbimet e besueshme të ujit janë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik, duke mbështetur turizmin, bizneset dhe investimet, si dhe duke rritur qëndrueshmërinë e komuniteteve përballë presioneve klimatike.
Reforma në sektor mbështetet nga Grupi i Bankës Botërore përmes Programit për Sektorin e Ujit të bazuar në rezultate dhe nismës “Utility of the Future”, me mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).
Shqipëria është përfshirë gjithashtu në nismën “Water Forward” të Grupit të Bankës Botërore, e cila synon forcimin e sigurisë ujore dhe përmirësimin e rezultateve për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin.
