Ushqimet dhe qiratë, rritet inflacioni, shkoi në 3.2% për muajin qershor, doli edhe jashtë objektivit të Bankës për muajin qershor

Nga Xh M
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 korrik Zhurnal.mk – Për disa muaj me radhë inflacioni dukej se ishte stabilizuar, por qershori solli një sinjal tjetër. Rritja e çmimeve u përshpejtua në 3.2%, duke kaluar objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Kjo është norma më e lartë e regjistruar në muajt e fundit, duke treguar se presionet mbi koston e jetesës nuk janë zhdukur.

Por çfarë do të thotë konkretisht një inflacion 3.2%? Nëse një familje shpenzonte mesatarisht 50 mijë lekë në muaj për mallra dhe shërbime një vit më parë, për të njëjtën shportë sot i duhen rreth 1 mijë e 600 lekë më shumë. Kjo nuk do të thotë se çdo produkt është shtrenjtuar me 3.2%, por se, mesatarisht, niveli i përgjithshëm i çmimeve në ekonomi është rritur me këtë normë, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Shtrenjtimi i produkteve të përditshme që konsumojnë familjet shqiptare ka qenë faktori kryesor që shtyu inflacionin në rritje, të cilat ndikuan me 1.02% në totalin e treguesit. Pas tyre vijnë qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet, të cilat kontribuan me 0.96 pikë përqindje, duke treguar se kostot e banimit vazhdojnë të rëndojnë buxhetet familjare.

Ndikim kanë dhënë gjithashtu transporti, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë, pijet alkoolike dhe duhani, si edhe argëtimi, sporti dhe kultura, ndërsa i vetmi grup që ka shënuar ulje çmimesh është ai i veshjeve dhe këpucëve.

Rritja e inflacionit mbi objektiv vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë vijon të paralajmërojë se ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj zhvillimeve jashtë vendit. Vetë institucioni qendror ka theksuar se pasiguritë në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike mund të sjellin presione të reja mbi çmimet, ndaj ecuria e inflacionit do të mbetet një nga treguesit kryesorë që do të udhëheqë vendimmarrjen e bankës qendrore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër