UT dhe Komisioni kundër diskriminimit nënshkruajën memorandum bashkëpunimi

Nga D. V.
533 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 25 Mars, Zhurnal.mk – Universiteti i Tetovës dhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi sot kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me të cilin ata thonë se synohet promovimi i barazisë dhe mbrojtja nga diskriminimi.


Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zendeli, dhe nga Kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dushan Tomshiq.
“Ky akt shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në promovimin e barazisë dhe mbrojtjen nga diskriminimi,” tha UT në një komunikatë pas nënshkrimit.
Sipas komunikatës, ky bashkëpunim synon organizimin e aktiviteteve edukative dhe shkencore, përfshirë trajnime, seminare dhe punëtori, “me fokus në ngritjen e vetëdijes së studentëve për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit.”


“Studentët pjesëmarrës do të pajisen me vërtetime dhe certifikata për pjesëmarrjen e tyre, ndërsa institucionet do të angazhohen në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta,” tha UT në komunikatë.


Sipas tyre memorandumi në fjalë përfaqëson një hap “konkret drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.”


UT tha se pas nënshkrimit të Memorandumit, u realizua edhe aktiviteti i parë në kuadër të këtij bashkëpunimi. Studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, në programin Administratë Publike, morën pjesë në trajnimin e organizuar nga Komisioni me temën “Diskriminimi në vendin e punës”.
“Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e palëve për zbatimin konkret të Memorandumit dhe për të kontribuuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe pa diskriminim,” përfundoi UT në komunikatë.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër