Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Diaspora dhe roli i saj në zhvillimin e Tetovës ishte në qendër të panelit të diskutimit të organizuar në kuadër të manifestimit kulturor “Vera Tetovare”, raporton TVM2, transmeton Zhurnal.
Përfaqësues të suksesshëm të mërgatës nga fusha e biznesit, institucioneve dhe vendimmarrjes diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe mundësitë për investime në vendlindje.
Panelistët vlerësuan diasporën si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit dhe theksuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet vendore.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të kuptohet edhe më shumë, në aspektin akademik dhe shoqëror, ndikimi i diasporës në Tetovë dhe mënyrat se si mund të krijohen ura bashkëpunimi në të ardhmen. Tetova ka një mërgatë të madhe dhe synimi është që ajo të kontribuojë më shumë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë shoqëror e social, duke lehtësuar edhe investimet që mund të realizohen këtu.”, – deklaroi panelisti, Ridvan Azizi.
Organizime të tilla ndihmojnë koordinimin ndërmjet diasporës, institucioneve dhe biznesit, u shpreh kryetari i Klubit të Biznesit, Gafar Vejseli.
“Është shumë i rëndësishëm organizimi i kësaj konference dhe besoj se duhet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Të paktën të bëhemi bashkë, të njihemi mes vete dhe të kontribuojmë për qytetin. Si Klubi i Biznesit, ne jemi të angazhuar për bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe komunat, në mënyrë që të bashkërendojmë investimet dhe interesin e diasporës, veçanërisht kompanive nga Gjermania.”, – theksoi kryetari i Klubit të Biznesit, Gafar Vejseli.
Edhe mjeku Lumni Ademi, që vepron dhe punon në Zvicër, theksoi rëndësinë e lidhjes së diasporës me vendlindjen dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.
“Jam shumë i nderuar që jam pjesë e këtij paneli me temën e diasporës. Këtu vërehet një lidhje shumë e fortë ndërmjet diasporës dhe vendlindjes, ndërsa do të prezantojmë mënyrat se si ky bashkëpunim mund të zhvillohet edhe më tej.”, – u shpreh mjeku në Zvicër, Lumni Ademi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky format krijon hapësirë për përfshirje më të madhe të diasporës në zhvillimin e qytetit.
“Besoj fuqishëm se ky format i panelit është më se i përshtatshëm dhe reflekton realitetin që po jetojmë. Kemi përfaqësues nga pothuajse të gjitha shtetet evropiane, nga ShBA-ja dhe nga vendet ku jeton diaspora jonë. Gjithashtu kemi përfaqësues nga biznesi, organizata të ndryshme dhe institucione që mbajnë pozita të rëndësishme në Evropë dhe ShBA.”, – deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Paneli u vlerësua si një hap drejt forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe Tetovës, me synimin për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët.
