Tiranë, 26 maj Zhurnal.mk – Euro ka vijuar të dobësohet ndaj lekut, duke arritur nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, java e kaluar u mbyll me 95.47 lekë për një euro.
Forcimin e lekut, eksperti Enriko Çeko e lidh me një sërë faktorësh ekonomikë, si edhe me periudha të caktuara të vitit, kur rritet qarkullimi i valutës në vend.
“Pjesa më e madhe vjen nga remitancat. Në të paktën 30 vitet e fundit pryrjet e emigrantëve i kemi patur minimalisht 1 miliard euro në vit. Arsyeja tjetër është sektori i turizmit. Ne vitin që kaloi patëm 11.5 milion turistë, ndoshta dhe çik më shumë. Këtë vit pretendojmë të kemi 12 milion deri në 13 milion turistë”, tha eksperti.
Eksperti shprehet se kërkohet një vëmendje më e madhe në luftën kundër ekonomisë gri, e cila vijon të mbetet një sfidë për ekonominë shqiptare.
“Siç e theksojnë edhe agjensitë e rëndësishme financiare ndërkombëtare, një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare është ekonomi e gri dhe ekonomi e zezë. Ne duhet të luftojmë shumë në pjesën e transparencës të asaj pjese të ekonomisë që është ekonomia gri“, tha Çeko.
Sipas Çekos, ekonomia shqiptare ka nevojë për një orientim më të fortë drejt prodhimit dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
“Duhet të themi që rënie e valutave të huaja ë nxit importet. Problemi qëndron te mënyra se si e kemi organizuar në ekonominë. Ne jemi ekonomi konsumi. Duhet të kemi një qasje tjetër që të kemi ekonomi prodhimi, sepse duke prodhuar edhe duke prodhuar përtej asaj sa konsumon tregu brenda atëherë ne mund të ndërtojmë politika”, tha ai.
Për ekspertin, sistemi bankar në Shqipëri mbetet i mirëkapitalizuar dhe vitet e fundit, së bashku me turizmin, ka shërbyer si një nga shtytësit kryesorë të motorit ekonomik të vendit.
