Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon që të jetë e përshkallëzuar. Që prej orës 11:00 studentët vijojnë përplasjet me forcat e policisë.
Protestues të maskuar gjatë tubimit kanë dëmtuar ndriçuesit e rrugëve, kanë sulmuar një bankë të nivelit të dytë duke thyer xhamat.
Në vijim, protestuesit i kanë vendosur flakën një ndërtese ku ndodhen zyrat e një institucioni bankar, ndërsa të tjerë kanë qëlluar me gurë dhe kanë thyer xhamat e bizneseve të afërta.
Zjarri përfshiu të gjithë godinën duke rrezikuar ndërtesat përreth.
Gjithashtu, më herët edhe një nga ambientet e godinës së Ministrisë së Arsimit në katin e parë u përfshi nga flakët.
“Dorëheqje”, “Policia e krimit”, janë disa nga thirrjet e të rinjve në protestë.
Nga ana tjetër policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës, ndërsa të rinjtë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me gurë dhe sende të forta.
Sipas medieve disa protestues janë shoqëruar nga policia, ndërsa raportojnë edhe për të plagosur që janë dërguar në spital.
