Prishtinë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Ish-presidentja e Kosovës, tash deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Kanal 10, ka kritikuar mënyrën se si po paraqitet gjendja ekonomike në vend.
Ajo ka thënë se nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik kur rritja alarmante e çmimeve po paguhet nga qytetarët.
“Është e pafalshme. Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik kur rritja e çmimeve të shportës në mënyrë alarmante po paguhet nga qytetarët”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, inflacioni prej gati 8 për qind, përballë rritjes ekonomike prej vetëm 3 për qind, nënkupton se qytetarët nuk kanë përfituar rritje reale.
“Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik kur e ke inflacionin gati 8 për qind e rritjen 3 për qind, sepse dallimi është 5, je minus 5. Nuk ke rritje kur janë rritur çmimet”, ka thënë ajo.
Osmani ka kritikuar edhe pretendimet për rritje të buxhetit, duke thënë se kjo po ndodh si pasojë e të hyrave nga TVSH-ja dhe akciza, e jo si rezultat i politikave të Qeverisë.
“S’mund të flasësh për rritje të buxhetit kur po të rritet prej TVSH-së dhe akcizës, jo prej politikave tua”, ka deklaruar Osmani.

