Shkup, 14 prill – Grupi i partive politike shqiptare Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravrit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, BESA e Bilall Kasamit dhe Alternativa e Zekerija Ibrahimit, bashkë me përfaqësuesin e Vetëvendosjes Bekim Qoku u bënë bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe formuan koalicionin VLEN. Ky koalicion arriti që për herë të parë të bëjë ndryshimin në skenën politike shqiptare dhe për herë të parë pas dy dekadave ta lë në opozitë BDI-në e Ali Ahmetit.
Çelësi i suksesit në ato zgjedhje ishte padyshim bashkimi i atëbotë partive opozitare shqiptare. Edhe pse ishte shumë i vështirë një bashkim i tillë, pasi siç thotë Gjergj Fishta “Ma zor mblidhen dy shqiptarë, sesa mblidhet një thes me pleshta”, sërish mrekullia ndodhi dhe shqiptarët u bënë bashkë në dy tabore, “Fronti Europian” dhe VLEN-i.
Pas rezultateve zgjedhore, VLENI u bë pjesë e qeverisë dhe në këtë formë u bë ndryshimi i pritur në krahun politik shqiptar.
Por, duket se njeriu është atillë i krijuar që kur ka zorr e vështirësi, bëhet bashkë dhe e lufton deri në fitore, por në momentin kur ndihet rehat, fillon të harrojë të kaluarën, i duket jeta e lehtë, i duket që gjithçka është duke shkuar “qumësht e mjaltë” dhe ai harron qëllimin parësor se përse triumfoi.
Ngjashëm është edhe me partitë shqiptare që sot janë në pushtet. Duket, se pasi u rahatuan nga vështirësitë e shumta në të kaluarën, ata filluan të harrojnë se cili ishte thelbi dhe arsyeja kryesore e fitores së tyre. Ata fituan, vetëm sepse u BASHKUAN!
Prandaj ata nuk duhet të harrojnë, se çdo përçraje është dështim i radhës, ndërsa çdo bashkim është shpresë për popullatën shqiptare dhe shpresë për fitoren.
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për dallim nga politikëbërja e shqiptarëve në rajon, kanë një rol më të vështirë. Nëse në Shqipëri e Kosovë, partitë bëjnë kalkulime të lehta për pushtetin, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të mendoj dy herë se çfarë po bëjnë. Ata në Shqipëri e Kosovë e kanë shtetin e tyre, e këta në Shkupin zyrtar duhet të mendojnë se përveç garës brenda partive shqiptare, duhet të kenë kujdes edhe për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, për të drejtat e tyre, për shtetformësinë e tyre dhe për pjesëmarrjen dinjitoze në qeveri me partnerët maqedonas. Karshi çdo kërkesë të shqiptarëve, duhet të jenë të bashkuar dhe stoik në qëndrimet e tyre. Nëse përçahen, të drejtat e shqiptarëve zbehen, pakësohen e dëmtohen.
Është fort e kuptueshme se brenda çdo koalicioni ka pakënaqësi, por zgjuarsia dhe mendjet e holla gjithmonë duhet të dinë të gjejnë zgjidhje nga çdo problem.
VLEN-i e kuptoi qartë se nëse nuk e kishin bashkimin e duhur në zgjedhjet e kaluara, nuk do të arrinin këtu ku janë sot. Prandaj ata duhet të dinë se nëse nuk e forcojnë edhe më shumë këtë lidhje, do ta kenë të vështirë t’i bashkërendojnë në të ardhmen të gjitha vendimet.
Populli thotë “në një shtëpi me shumë zotni, shpia mbetet pa çati”, ngjashëm do ta ketë hallin edhe VLEN-i nëse nuk arrin sa më shpejtë të bëhen një parti e vetme, e cila do të jetë shëmbëlltyrë dhe parti serioze në garën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
VLEN-i nevojitet sa më shpejtë të krijojë vlera të reja që do ta nxjerrin fitues në zgjedhjet e ardhme lokale, duke mos e shuar shpresën tek shqiptarët e duke mos iu kthyer fjalës së Gjergj Fishtës, se dy shqiptarë nuk mund të bëhen bashkë.
Aktualisht VLEN-i po funksionon si një dorë me pesë dishta, ku ndoshta jo të gjithë janë të aftë njësoj, e jo të gjithë janë të barabartë njësoj, por çdonjeri prej tyre ka vlerën e vet. Gjithsecili gisht në dorë e ka rolin e tij, por kur bëhen bashkë, formojnë një grusht të fortë, e kjo i duhet VLEN-it në këtë moment. Për të mos “prerë gishtat e dorës” duhet sa më shpejt të formohen një grusht i vetëm, me një parti të vetme dhe të krijojë vlera të reja, sepse përveç interesave të ngushta partiake, ata duhet të dëshmojnë se kanë përgjegjësi kombëtare që t’i çojnë përpara proceset shqiptare.