VLEN: Taravari të japë përgjegjësi për gjendjen me ujin në Gostivar, ku përfunduan 7 milionë eurot nga Zvicra?

Nga R.ZH
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 korrik, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar lidhur me situatën e furnizimit me ujë në Gostivar, duke akuzuar ish-kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, për mospërmbushje të premtimeve dhe mungesë të përgjegjësisë politike.

Nga VLEN rikujtojnë se Taravari, sa ishte në opozitë, akuzonte pushtetin e atëhershëm se po “helmonte” qytetarët me moskujdes dhe mosveprim, ndërsa gjatë mandatit të tij kishte premtuar se do ta zgjidhte problemin e ujit të pijshëm në Gostivar “për 100 vitet e ardhshme”.

Sipas VLEN-it, sot kur përgjegjësia bie mbi administratën që ai ka drejtuar, nuk ka as realizim të premtimeve dhe as përgjegjësi politike.

Koalicioni rikujton edhe premtimin për ndërtimin e dy rezervuarëve të rinj për ujë të pijshëm, të cilët, sipas tyre, ishin paralajmëruar në vitin 2022 si donacion nga Zvicra, por nuk janë realizuar.

“VLEN shtrojnë pyetjen se ku kanë përfunduar 7 milionë eurot e ndihmës nga Zvicra dhe pyesin nëse uji i Gostivarit ka përfunduar në gjendje të ngjashme me kanalizimin e Zajazit”, thuhet në reagim.

Sipas VLEN-it, deklaratat që Taravari dikur ua drejtonte kundërshtarëve politikë, sot, siç thonë ata, janë pasqyrim i dështimit të tij në menaxhimin e situatës.

Nga koalicioni theksojnë se qytetarët nuk kanë nevojë për arsyetime, por për përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, duke shtuar se prioritet duhet të jetë garantimi i ujit të sigurt për pije dhe funksionimi i institucioneve.

VLEN kërkon përgjegjësi për çdo zyrtar që, sipas tyre, ka dështuar në mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe zbardhjen e plotë të rastit.

“Arben Taravari duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Gostivarit me të njëjtin standard që kërkonte dikur nga të tjerët, sepse përgjegjësia nuk është slogan për opozitë, por detyrim kur udhëhiqet me pushtetin lokal”, përfundon reagimi i VLEN-it.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër